Nisma ligjore e Partisë Socialiste për disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare i ka pozicionuar palët sërish në llogoren e debatit.
Në emër të përfaqësuesve të selisë rozë ka qenë deputeti Saimir Tahiri ai që ka prezantuar edhe relacionin e forcës së tij politike duke ritheksuar qëndrimin e kahershëm të socialistëve për një hetim të plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit.
Duke i ftuar deputetët e mazhorancës të votojnë amendimet e bëra nga socialistët, zoti Tahiri tha se në këtë mënyrë mund t’i jepet fund zgjidhjes së krizës politike në vend.
Saimir Tahiri: “Dispozitat e projektligjit janë në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me parimet themelore kushtetuese të shtetit ligjor, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të drejtat dhe liritë themelore, si dhe kontrolli parlamentar si prerogativë kushtetuese e Kuvendit. Projektligji mban parasysh praktikën e pasur të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet e saj, sanksionon edhe rekomandimet specifik për përmirësim të kuadrit ligjor, bën dallim të qartë ndërmjet veprimtarisë hetimore parlamentare dhe veprimtarisë kushtetuese dhe ligjore të organeve të pavarura, siç është edhe Prokuroria. Në dallim nga objekti i hetimit, i cili i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë mjetet dhe instrumentet hetimor nuk i nënshtrohen as diskutimit parlamentar dhe as kontrollit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese.”
Ndërsa për demokratët relacioni u bë publik nga deputeti Viktor Gumi, i cili duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht atyre me numër 18, 26 dhe 20 të viteve 2003, 2006 e 2007 në lidhje me parimin dhe ndarjen e pushteteve, si dhe kufizimin e objektit të hetimit, zoti Gumi argumentoi disa nga nenet e propozuara nga opozita, të cilat sipas tij bien ndesh me vendimet e kësaj gjykate.
Viktor Gumi: “Ushtrimi i funksionit të hetimit parlamentar nuk mund të realizohet duke ndërhyrë në veprimtarinë e organeve të pavarura. Hetimi parlamentar, për të qenë kushtetues, nuk duhet të jetë i gjerë, por i fokusuar ngushtësisht në ato çështje që janë subjekt kontrolli parlamentar. Nuk duhet të prekë kompetencat e organeve të tjera të krijuara me ligj dhe që lidhen me funksionin e ligjbërjes. Nuk mund të ketë hetim, këqyrje apo publikim të materialeve zgjedhore dhe as të fletëve të votimit në rast se kur për to është dhënë një vendim gjyqësor ose për to ka një vendim të KQZ-së, i cili nuk është ankimuar në kolegjin zgjedhor, ose kur për të dhënat apo fletët e votimit që janë në kuti nuk është bërë fare ankim nga subjekti zgjedhor.”
Por qëndrimi i mazhorancës konvergoi në disa prej amendimeve të socialistëve, siç ishte neni 1 që ka të bëjë me parashtrimin e rekomandimeve që paraqet në fund komisioni hetimor, pjesërisht neni 2, që përcakton afatet kohore për ngritjen dhe funksionimin e komisionit hetimor si dhe neni 5 dhe ai 6.
Me shumicë votash, shqyrtimi nen për nen i nismës ligjore të PS-së u ra dakord të kalojë në mbledhjen e ditës së ente në komision./tvklan.al