Vendimi i Universitetit të Vlorës për të mos pranuar studentët me mesatare nën 6 edhe pse ata janë shpallur fitues nga Ministria e Arsimit ka ngjallur debat edhe në universitetet e tjera të rretheve.

Rektori i universitetit të Korçës thotë se studentët me mesatare nën 6 zënë 50%  të fituesve, kontigjent që sipas tij do të seleksionohet më vonë nga vetë tregu i punës.

Gjergji Mero: “Në shumë programe studimi vijnë studentë të dobët dhe kjo duket dhe nga këto aplikime apo nga kandidatët fitues që na kanë ardhur në lista. Ajo që sot është gjë e mirë është që diferencimi i nivelit të studimeve bëhet nëpërmjet diplomave dhe këta studentë që do mbarojnë diplomën e nivelit të parë me mesatare të ulët ashtu si dhe na kanë ardhur nuk do ti pranojë tregu i punës.”

Sipas rektorit regjistrimi i tyre nuk mund të pengohet pasi  në këtë mënyrë shkelet hapur ligji për arsimin e lartë, fakt që pohohet edhe nga vetë studentët

Studenti 1: “Mund të ketë disa studentë në shkolla që vërtetë mund të jenë të dobët mirëpo ndoshta ata mund të mësojnë dhe besoj se nuk është e drejtë që ti privojmë këta studentë nga kjo e drejtë për t’u shkolluar, për të hyrë në universitet.”

Gjergji Mero: “Ky kontigjent le të vazhdojnë shkolla të tjera të larta në Shqipëri, por jo universitare. Këtë nuk mund ta rregullojë dot një universitet, këtë nuk e pranoj. Nuk mund ta mbaj këtë “nder” sistemit të lartë arsimor vetëm Vlora, duhet ta bëjmë të gjithë universitetet dhe kjo bëhet me një ligj apo vendim të posaçëm.”

Edhe universiteti Aleksandër Xhuvani në Elbasan ka regjistruar të gjithë studentët me mesatare nën 6, duke respektuar listën fituese të shpallur nga Aprial.

Liman Varoshi: “Jo të gjithë të regjistruarit rezultojnë me mesatare të notës mbi 6. Ne po respektojmë edhe në një mënyrë tepër rigoroze listat e ardhura.”

Fakultetet e Durrësit, Gjirokastrës, Shkodrës dhe së fundi ai i Peshkopisë kanë një numër të madh studentësh me mesatare të ulët të shpallur fitues në degët më pak të preferuara, çka në shumë raste justifikon edhe mbajtjen hapur të departamenteve në këto universitete./tvklan.al