Janë thelluar polemikat midis kryetarit aktual të Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi dhe kandidatit për kryetar partie Gaqo Apostoli. Në konferencën e radhës së Partisë Socialdemokrate në Elbasan Apostoli është shprehur se Partia Socialdemokrate rrezikon rrjedhje të elektoratit gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Sipas Apostolit, partinë e ka mbytur servilizmi dhe elektorati i saj po shteron.

Gaqo Apostoli: “Sado që ka shkelje dhe këtu bëhet fjalë për shkelje statutore dhe unë e di që ka personalizim, ka klanizim të partisë edhe në bazë edhe në qendër ku edhe unë jam pjesë e të mirave dhe e defekteve që ka partia. Por duhet t’i themi hapur, duhet të bëjmë analiza. Këtu nuk jemi për të bërë vetëm show politik.”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi ka reaguar duke thënë se në këtë parti ka mbetur ndojë servil, i cili do të pësojë fatin e të larguarve të tjerë. Ai ka hedhur poshtë deklaratat e Apostolit për rrjedhje të elektoratit dhe mungesë të demokracisë brenda partisë.

Skënder Gjinushi: “Servilët, ata që marrin pushtet me servilizëm, ikën. Ata që qëndruan në këtë parti, ishin ata që sakrifikuan, pra jeni ju, sakrifikuat edhe vendet e punës edhe tensione të tjera, kështu që në dhjetor 2003 ne në fakt na ishin mbaruar servilët, kanë mbetur shumë pak. Mund të jetë ndonjëri për inerci, por kjo sigurisht që do të dështojë.” /tvklan.al