Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dhe krerët e gjykatave janë përfshirë në një debat ligjor dhe politik me publik anëtarë të lartë të Këshillit të Drejtësisë.
Nenet 4, 5 dhe 6 janë ato më të kontestuarat nga projektligji mbi funksionimin e administratës gjyqësore.
Albert Meçe: “Cila është lidhja midis kryetarit të gjykatës dhe kancelarit? Qoftë ligji, qoftë rregullorja lënë një hapësirë që në perceptimin tim anon nga kancelari në rastet kur kryetari i gjykatës dhe kancelari kanë mendime të ndryshme për administrimin e gjykatës”.
Artur Malaj: “Kemi të bëjmë me një ligj që në disa nene të tij shkel rëndë pavarësinë e gjyqësorit. Pavarësia financiare është një nga elementet thelbësorë të pavarësisë së gjyqësorit. Në këtë ligj pavarësia financiare është shkelur rëndë”.
Enkelejd Alibeaj: “Jo vetëm praktikisht, po as teorikisht një ligj që rregullon statusin e administratës gjyqësore që nuk bën gjë tjetër veçse i jep administratës gjyqësore, pra sekretarëve, shoferëve, mirëmbajtësve, kryetarit të degës së buxhetit u jep statusin e nëpunësit civil. Ky rregullon vetëm mënyrën e sjelljes së administratës. Nuk mund të rregullojë ky ligj mënyrën e sjelljes së kryetarëve apo të gjyqtarëve të tjerë. Kjo do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit gjyqësor”.
Debati juridik në pallatin e drejtësisë ka kohë që zien. Gjyqtarët të ndarë tashmë në dy grupe janë hedhur në sulme mediatike duke e klasifikuar këtë projektligj një presion ndaj gjyqësorit dhe jo më një reformë legjislative, sikundër e ka kërkuar dhe faktori ndërkombëtar.
Armando Subashi: “Ky projekt i ka dhënë kompetencën ministrit që të përcaktojë me urdhër strukturën dhe organikën e gjykatave.”
Enkelejd Alibeaj: “Në qoftë se çdo nëpunës civil e ka të qartë në kontratën e vet të punës cilat janë detyrimet e veta të vijnë në punë në orën 8, të ikin nga puna në orën 4, kur është seanca të ndodhet pikërisht aty më përpara sesa të vijë gjyqtari, të ketë gati dosjen gjyqësore, të jetë i aftë të shkruajë në letër ose në kompjuter. Këto janë detyrime që përcaktohen me ligj dhe ligji nuk është abuzim”.
Armando Subashi: “Këtij projektit, thashë, duke i hequr këto nene unë nuk kam asnjë vërejtje. Lidhur me statusin e administratës gjyqësore është pikërisht ajo që ka munguar deri më sot”.
Anduena Llabani: “Aktorë të ndryshëm të përfshirë në këtë proces duket se kanë interesat e veta. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në këtë kontekst duket se ka më pak interes sesa Ministri i Drejtësisë, i cili ka në varësi direkte administratën gjyqësore, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë në këtë rast duhet që më parë të sheshojë nëse ka elementë të cenimit të pavarësisë së gjyqësorit.”
Debati mbi projektligjin e administratës gjyqësore zhvillohet në një kohë kur organizata “Transparence International” rendit gjyqësorin në Shqipëri në vendin e dhjetë si më të korruptuarin. Vetë gjyqtarët preferojnë të heshtin përballë këtij fakti.
Gazetarja: Zoti Halluni, keni ndonjë koment për raportin e fundit për korrupsionin gjyqësor?
“S’mund të kemi kaq shpejt komente. Presin gjërat, ju lutem”.
“Jo”.
Gazetarja: A janë gjyqtarët të korruptuar në Shqipëri, apo jo?
“Do e diskutojmë në mbledhje”./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani