Betimi i deputetëve socialistë, 7 muaj pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka hapur një debat të ri.
Mosbërja e vlefshme e mandatit të deputetit ka privuar deri më tani deputetët socialistë nga paga e deputetit për aq kohë sa ata nuk janë shfaqur në institucionin e Kuvendit.
Por, duke iu referuar ligjit për statusin e deputetit, mësojmë se socialistët, të cilët e kanë rrogën e deputetit si burimin e vetëm të jetesës, mund të përjetojnë një krizë financiare nëse skenari i hartuar nga Rama për të hyrë vetëm një ditë në Kuvend dhe për të dalë sërish, do të vihet në jetë.
Sipas këtij ligji, të zgjedhurit e popullit paguhen në bazë të prezencës së tyre në seancat plenare dhe komisionet parlamentare ku ata bëjnë pjesë.
Praktikisht, ligji parashikon që Drejtoria e Burimeve Njerëzore e Kuvendit për çdo seancë përgatisin një listë prezence për praninë ose jo të deputetëve.
Lista më pas i kalon Drejtorisë së Financave të këtij institucioni, e cila përllogarit shpërblimin financiar në bazë të prezencës.
Thënë thjesht: shumës me të cilën paguhen deputetët i zbritet vlera e ditëve që ata kanë munguar në sallën e Kuvendit apo në komisionet parlamentare.
Pra, nëse deputetët socialistë do të marrin pjesë vetëm në seancën e të enjtes pasdite për të bërë të vlefshëm mandatin dhe për të vijuar sërish me bojkotin, ata do të paguhen vetëm për një ditë pune.
Gjatë këtyre 6 muajve bojkot në selinë rozë, është përshpejtuar shpesh varianti i futjes në Kuvend vetëm për të bërë të vlefshëm mandatin dhe për të përfituar për 6 muaj me radhë më pas pagën, duke iu referuar rastit Nano.
Por ligji për statusin e deputetit parashikon qartë se ish-kryeministrat, ish-ministrat dhe ish-kryeparlamentarët kanë status të veçantë dhe për këtë arsye ata e përfitojnë pagën e deputetit, edhe nëse mungojnë pa arsye për 6 muaj rresht në Kuvend.
Pra, lajmi i keq për të zgjedhurit që nuk e gëzojnë këtë status është se ata nuk mund të përfitojnë privilegjin që ka pasur ish-kryeministri Nano, i cili paguhej edhe pse shkelte në sallën e Kuvendit për raste që ai i gjykonte të veçanta./tvklan.al