Demokrati Tim Walz dhe republikani JD Vance u përballën me njëri-tjetrin në debatin televiziv në CBS Neës. Gjatë 90 minutave ata u ndalen tek çështjet që shqetësojnë Amerikën duke mos lënë jashtë edhe sulmet personale.
Walz dhe republikani JD Vance shprehën mospajtimet e tyre për krizën në Lindjen e Mesme, imigracionin, taksat, ndryshimet klimatike dhe energjinë. Demokrati Walz tha se ish-presidenti Donald Trump është shumë i paqëndrueshëm për t’ja besuar udhëheqjen e vendit në një kohë krize si ajo në Lindjen e Mesme.
“Kur aleatët tanë shohin se Donald Trump kthehet drejt Vladimir Putinit, kthehet drejt Koresë së Veriut, kur ne fillojmë të shohim atë lloj paqëndrueshmërie ne sigurisht premtojmë se do të qëndrojmë të përkushtuar.”
JD Vance iu kundërpërgjigj duke thënë se bota ishte më e sigurte gjatë katër viteve që republikani Trump drejtoi Shtetet e Bashkuara. I pyetur nëse do të mbështeste një sulm izraelit kundër Iranit, republikani u përgjigj kështu.
“Është në dorën e Izraelit se çfarë mendojnë se duhet të bëjnë për të mbajtur vendin e tyre të sigurt. Dhe ne duhet t’i mbështesim aleatët tanë kudo që janë kur ata po luftojnë kundër të këqijve, mendoj se kjo është qasja e duhur për çështjen e Izraelit.”
Gjatë debatit Vance shtroi pyetjen se përse Harros nuk kishte bërë më shumë për të trajtuar problemet e inflacionit gjatë mandatit në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse Kamala Harris ka plane kaq të mira për të trajtuar problemet e klasës së mesme, atëherë ajo duhet t’i zbatojë ato tani, jo kur kërkon të ngrihet në detyrë, por në postin që populli amerikan e zgjodhi atë mbi 3 vite e gjysmë më parë.”
Nga ana tjetër Walz u shpreh se Trump u kishte dhënë përparësi miliarderëve duke ulur taksat. Emigracioni ishte një tjetër temë e cila u diskutua. Walz sulmoi kandidatin republikan për president për trysninë e ushtruar ndaj republikanëve në Kongres për të hequr dorë nga një projektligj për sigurinë kufitare në fillim të vitit.
“Donald Trump kishte katër vjet për ta bërë këtë dhe i premtoi elektoratit amerikan se sa e lehtë do të ishte.”
Tonet u rritën afër fundit kur Vance shmangu pyetjen nëse ai do të pranonte rezultatet e zgjedhjeve të Nëntorit nëse Trump do të humbiste.
“Tim, është shumë e lehtë për liderët demokratë të thonë se Donald Trump është një kërcënim unik për demokracinë kur ai dha pushtetin në mënyrë paqësore më 20 Janar, siç kemi bërë për 250 vjet në këtë vend. Ne do të shtrëngojmë duart pas këtij debati dhe pas këtyre zgjedhjeve dhe, natyrisht, unë shpresoj se do të fitojmë dhe mendoj se do të fitojmë, por nëse Tim Walz është zëvendëspresidenti i ardhshëm, ai do të ketë urimet e mia më të mira dhe ai do të ketë ndihmën time sa herë që të dojë.”
Demokrati Walz reagoi duke fajësuar pretendimet e Trump për mashtrime në zgjedhje dhe nxitjen e trazirave të 6 Janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit Amerikan, një përpjekje e pasuksesshme për të parandaluar certifikimin e fitores së zgjedhjeve nga demokrati Joe Biden.
Klan News