Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Fatos Nano:- “Unë zoti kryetar i Gjykatës së Lartë, do të kërkoja sërish, që gjykata që ju drejtoni, të angazhohet më mirë në marrjen e më shumë vendimeve unifikuese të praktikës gjyqësore, që do të ndihmonin qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme, në standardizimin e dhënies së drejtësisë në të gjithë sistemin gjyqësor, duke orientuar drejtë edhe prokurorët edhe avokatët dhe komunitetin e juristëve në tërësi. Gjithashtu, në një rol të rëndësishëm, që siguron respektimin e Kushtetutës është edhe Gjykata Kushtetuese. Zoti kryetar, në vlerësimin tim, ne nuk mund të vazhdojmë të përballojmë konteste institucionale, të motivuara deri politikisht nga interesat e ditës, për shkak të pozicionimit kushtetues, jo adekuat, të gjykatës që ju drejtoni. Nga ana tjetër, të dy gjykatat tona supreme, nuk mund të vazhdojnë të harxhojnë energji, duke përballuar diskutime absurde kompetencash me njëra-tjetrën. Me këtë rast, dëshirojë të theksojë, se si Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, duhet të zbatojnë me korrektësi, rregullat proceduarale për pranimin e çështjeve për gjykim, sipas konceptit kushtetues dhe bashkëkohor, të funksionimit të drejtësisë në nivele të tilla të larta”.

Spartak Ngjela:- “Kjo është një çështje e cila është rrahur prej muajsh. Ne e kemi theksuar dhe më parë, natyrisht që e pranojmë, jemi krejtësisht dakord me një qëndrim të tillë, sepse, ky është edhe qëndrimi ynë. Kjo gjykatë duhet të disiplinohet, në të vërtetë s’është gjykatë kjo, flasë për Gjykatën Kushtetuese. Kjo vetëm gjykatë nuk mund të jetë, është një turmë njerëzish, që mbajnë qëndrime jo shtetërore. Është një fluks anti-shtet, i cili në vend që të mbajë përgjegjësinë normale për eliminimin e krizave, që herë pas here lindin në funksion institucional, të shtetit, kjo i acaron më keq. Pra kuptohet, që me qëndrimet e veta nuk mundet dot t’i rezistojë kohës është drejt degradimit dhe po interferon dhe po godet mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, duke dalë si shkallë e katërt”.

Gazetarja:- Kjo çështje thuhet edhe në raportin konfidencial të BE, në fakt ku ka dalë se është një gjykatë e shkallës së katër?

Spartak Ngjela:- “Po ka disa vendime të Gjykatës së Lartë, që i ka prishur, në forma krejtësisht arbitrare, me të cilat ka dalë si gjykatë fakti. Bashkë me këtë mund të themi dhe shkatërrimin e procesit zgjedhor. Me këto të dyja, në çdo vend të botës, ose do të ishte suprimuar, ose do t’i ishte përgjigjur një përgjegjësie shumë të madhe ligjore”./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço