Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Objekti pesëkatësh prishja e të cilit filloi një ditë më parë nga policia ndërtimore, sipas pronares së tij ka leje ndërtimi, madje dhe hipotekë. Pas disa orësh shoqërim në komisariat, Marita Osmani deklaron, se objektin e ka me leje dhe kërkon ndërprerje të menjëhershme të shkatërrimit, pasi një pjesë të investimit e ka bërë me një kredi të dhënë kjo në bazë të hipotekës së rregullt. 

Marita Osmani:- Gjithë dokumentacionin e kam të rregullt, me leje ndërtimi, me gjithçka, kam marrë edhe një kredi për të bërë rikonstruksionin e brendshëm, se unë si objekt e kam të mbaruar që në 97. Unë kam hipotekë të rregullt, sepse këtë objekt e kam hipotekuar dhe në bazë të këtij kam marrë edhe lekët nga një bankë tepër serioze”.

Ndërsa në zyrën juridike të policisë ndërtimore, shefi i kësaj zyre Edlir Orozi shprehet, se objekti i prishjes me vendim zyrtar ka qenë jo plotësisht objekti por një kafaz shkallësh, i ndërtuar arbitrarisht. 

Edlir Orozi:- “Dje nuk është vepruar për të prishur godinë pesëkatëshe, Është vepruar në zbatimin e vendimit të degës Tiranë dhe vendimi i drejtorisë, i cili ka lënë në fuqi vendimin e degës Tiranë është vepruar për prishjen e kafazit të shkallëve, në funksion të kësaj shtese pesëkatëshe, i cili rezulton të jetë ndërtuar në Shtator të 2002”.

Gazetarja:- Pra ju pretendoni, se pjesa tjetër e godinës nuk është prishur?

Edlir Orozi:- “Është gjë që verifikohet dhe shikohet aty në vend, Ekziston një leje e 96, për një shtesë bashkim pallatesh, aty është cilësuar shtesë anësore, në fakt është bashkim dy pallatesh ekzistuese dhe zonja në fjalë në 2002 ka nisur një kafaz shkallësh pesëkatësh. Ky është një kafaz masiv shkallësh dhe njerëzit mund ta ngatërrojnë godinën, pra vendimi jonë bën fjalë për këtë kafaz shkallësh, i cili është ndërtuar në këtë periudhë”.

Nga filmimet duket qartë që është prishur gjithë godina, madje pasi nuk është bërë e mundur shembja me fadromë, policët ndërtimorë kanë përdorur mjete primitive, për shkatërrimin e pesë kateve.

Marita Osmani:- “Veprimet e tyre ishin tepër ordinere. Në këtë kohë lajmërojnë policinë, vjen policia, mua më marrin në furgon se mos bëhej ndonjë incident nga një grua e vetme, kur në një kohë që unë e kam të bllokuar nëpërmjet gjykatës. Gjykata ka bërë një bllokim të këtij procesi dhe unë jam në seanca gjyqësore me ta”.

Edlir Orozi:- “Procesi gjyqësor është në zhvillim, por deri tani nuk është rezultuar të jetë zhvilluar ndonjë seancë. Megjithatë, ankimin në gjykatë nuk e pezullon ekzekutimin e vendimeve të policisë ndërtimore ose bashkisë.

Gazetarja:- Në qoftë se gjykata në fund i jep të drejt pronares, policia ndërtimore do të kompensojë dëmin e shkaktuar?

Edlir Orozi:- “Kjo është një e drejtë universale që e njeh ligji shqiptar, legjislacioni shqiptar dhe gjithë legjislacionet në botë. Megjithatë, ankimi në gjykatë nuk e pezullon vendimin e ekzekutimeve, sepse çdo njëri ka 1500 lekë dhe depoziton një kërkesë padi në gjykatë dhe sa të zgjidhet çështja në gjykatë, policia e ndërtimi këtu e tre vjet s’do kishte shembur asnjë ndërtim”./tvklan.al