Kryebashkiaku Edi Rama ka bllokuar punimet e një ndërtimi shumëkatësh në lagjen e “Tiranës së Re”. Rama së bashku me Policinë Bashkiake ka bllokuar punimet e pallatit që po ndërtohet përballë “Librit Universitar” që po ndërtohet nga firma “Hekla” SH.P.K. pasi ka shkelur lejen e dhënë duke ndërtuar 6 kate më tepër se leja e miratuar nga KRT-ja e Tiranës.
Edi Rama: “Kjo është një leje e cila është dhënë nga Bashkia e Tiranës dhe këtu ndërtuesit kanë bërë çfarë kanë dashur. 6 kate pa leje në njërin krah të objektit, kat pa leje lart, shtesa nga njëri krah, ballkone që bien mbi kokat e qytetarëve nga krahu tjetër dhe ne nuk mund ta mbajmë dot këtë përgjegjësi.”
Rama ka deklaruar se prej kohësh nuk ka bashkëpunimin e Policisë Ndërtimore të Tiranës për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe për këtë është i detyruar të ndërhyjë me mjete primitive për të prishur çdo metër katror ndërtim pa leje.
Edi Rama: “Për një shkelje, që është ndoshta shkelja më spektakolare e këtyre viteve, e cila zhvillohet ditën për diell përpara syve dhe përpara hundës së Policisë Ndërtimore të Tiranës. Nuk e di se çfarë kërkon Policia Ndërtimore e Tiranës që të vijë këtu dhe të marrë masat për të mos e lejuar këtë situatë e cila tashmë është në kufij të dëshpërimit. Duke filluar që sot dhe mund të shkoni dhe ta ndiqni fillimin e prishjes dalëngadalë me atë metodë primitive që disponojmë, me atë instrument primitiv që disponojmë, për të dhënë shembullin tonë. Mund të duhen muaj ndoshta për të prishur pjesët e paligjshme të këtij objekti, por ne nuk do t’i lejojmë më këto objekte dhe këta njerëz që të bëjnë si të duan me lejet që ne japim.”
Ndërkaq pasdite ka reaguar administratori i firmës “Hekla” i cili ka deklaruar se kanë bërë kërkesë për legalizimin e shtesës pa leje në bazë të ligjit për legalizimin.
“Lidhur me shtesën e ndërtesës në objekt, ndërtesës sonë e kam fjalën, Policia Ndërtimore ka ardhur që në muajin maj duke mbajtur një procesverbal të konstatimit të shkeljes që kemi bërë ne. Ligji që ka dalë për legalizimin e ndërtimeve pa leje, kemi bërë kërkesë në Bashkinë e Tiranës pranë zonjës Luiza Seiti. Kjo është kërkesa që i kemi dërguar që në datën 20 dhe kemi shkuar më shumë se dy-tri herë te zonja Luiza ose te personi që është atje në pritje të urbanistikës për t’i kërkuar se çdo të bëhet me ndërtimin pa leje që kemi bërë ne.” /tvklan.al