Maqedonia është një kërcënim kombëtar. Deklarata e fortë është e kryeministrit grek Kostas Karamanlis, e bërë vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme. Kryeministri ende në detyre i është rikthyer konfliktit të emrit me Maqedoninë, pikërisht në një kohë aspak të përshtatshme për Shkupin, i cili tashmë ka probleme edhe me Bullgarinë e shqiptarët, për shkak të enciklopedisë skandaloze.

Sipas Karamanlis, çështja e pazgjidhur e emrit i ka thelluar tensionet mes dy vendeve.

Një ditë më parë, mediat në Maqedoni raportuan se presidenti Ivanov është shumë optimist për zgjidhjen e emrit. Por Athina është shprehur e prerë se nuk ka ndërmend të pranoje emrin Maqedoni. Të njëjtin qëndrim ndan edhe pretendenti tjetër për kryeministër, kreu i PASOK, Papandreu.

Ky i fundit e ka bërë të qartë se nëse do të vijë në pushtet, nuk do të ndryshojë asgjë nga politika e qeverisë se tanimë në lidhje me Maqedoninë.

Por ndërsa me Shkupin zyrtar, Athina po ashpërson tonet, ndryshe po shfaqet me fqinjin tjetër, Turqinë.

Kryeministri Karamalis është shprehur se e mbështet kandidimin e Ankarasë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

E përsa u përket zgjedhjeve të 4 tetorit, sondazhet tregojnë se PASOK vazhdon të kryesojë me 6 % ndaj demokracisë së re të kryeministrit Karamalis./tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj