Zëvendëskryeministri, njëherazi dhe ministër i jashtëm, Ilir Meta ka deklaruar se qeveria do të respektojë vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Shefi i diplomacisë në një prononcim për mediat tha, se ndonëse dikasteri i drejtuar prej tij nuk është njohur ende me argumentet e dhëna nga kushtetuesja, ecuria e mëtejshme e kësaj çështje të cilën ai e cilësoi të bartur në kohë do të bëhet publike për mediat në një etapë të dytë.
Ilir Meta: “Do të respektojmë vendimin e gjykatës, pavarësisht nëse na vjen mirë apo jo, jemi të bindur apo jo do të shikojmë dhe argumentimin. Po ju e dini tani që atje janë bërë edhe pyetje të cilat i takojnë parlamentit sikurse ishte pyetja që u drejtohej përfaqësuesve të qeverisë, se nga niseni ju se përse janë të mira marrëdhëniet me Greqinë. Megjithatë e theksoj edhe njëherë ne na pëlqen, nuk na pëlqen, jemi të bindur, s’jemi të bindur ne respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse ky është një vend evropian, i cili bazohet pikërisht në respektin ndaj vendimeve të gjykatave.”
Dhe në analogji me qëndrimin e kryesocialistit Rama që sipas tij refuzon të njohë vendimin e kolegjit zgjedhor, ministri i jashtëm Meta theksoi se qeveria do ta njohë vendimin e kushtetueses në respekt të institucionit të gjykatave.
Ilir Meta: “Dallimi esencial midis kësaj mazhorance evropiane dhe për integrim me lidershipin e opozitës aktuale është pikërisht këtu, i respektojmë vendimet e gjykatave edhe kur na pëlqejnë edhe kur mund të kemi rezerva për to. Ndërsa ata janë vetëm për ato vendime që u pëlqejnë dhe i injorojnë kur këto vendime janë në kundërshtim me pëlqimet apo dhe interesat e tyre politike.”
Projektmarrëveshja për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental mes Shqipërisë dhe Greqisë u nënshkrua në Tiranë më 27 prill të 2009 nga ministrat e jashtëm Basha-Bakojanis.
Më pas Partia Socialiste e ankimoi atë në Gjykatën Kushtetuese, e cila gjatë mbledhjes së mbrëmshme me votë unanime e cilësoi atë si të papajtueshme me kushtetutën.
Në njoftimin për shtyp të kësaj gjykate theksohet se kjo projektmarrëveshje konstaton shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me kushtetutën dhe konventën e tretë ndërkombëtare të OKB-së për të drejtën e detit të vitit 1982./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro