Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Monika Kryemadhi: “Javët e fundit në këtë zonë ka nisur dhe është në proces aksioni i shkatërrimit të një sërë ndërtimesh përshirë edhe banesa nën justifikimin se kjo zonë po i nënshtrohet procesit tashmë shumë të përfolur të urbanizimit. Në takimet që kam pasur me zgjedhësit, banorë të kësaj zone, ka rezultuar së këta qytetarë nuk janë aspak kundër urbanizimit dhe ndërtimit të infrastrukturës, por përkundrazi, ata janë plotësisht të interesuar dhe të angazhuar në përfundimin e shpejt dhe të plotë të tij. Por ajo që na ka shqetësuar të gjithëve dhe për të cilën unë dua që nga kjo tribunë t’i drejtohem të gjitha institucioneve të përfshira në këtë proces është mungesa e vlerësimit ligjor të situatës, në kushtet kur pjesa dërrmuese e qytetarëve janë pronarë të tokës me vërtetim pronësie. Është gjithashtu, mungesa e plotë e transparencës me publikun, pasi nuk ka asnjë informacion mbi këtë projekt dhe shtrirjen e tij. Për më tepër veprime të organeve kompetente janë shoqëruar në të gjitha rastet me sjellje arrogante dhe arbitrare, duke mos marrë në asnjë rast në konsideratë faktin, se këto ndërtime kanë të bëjnë me jetën e këtyre njerëzve. Në kohën, kur qeveria me bujë po trumbeton projektin e saj për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në të njëjtën kohë vazhdon edhe procesi i prishjeve të këtyre ndërtimeve, duke krijuar kështu një situatë paradoksale. Për t’i prerë rrugën abuzimeve, do të ftoja të gjitha institucionet të pezullojnë veprimet e paligjshme në masë dhe të reflektojnë mbi të gjitha kërkesat e komunitetit, duke zgjidhur rast pas rasti të gjitha problemet ligjore./tvklan.al