Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetarja: Ka lindur nevoja që policia e shtetit këtu në Durrës të ndërhyjë në një nga qendrat e votimit. Sipas policisë gjithçka është bërë me kërkesë të komisionit zgjedhor të kësaj qendre dhe pas kësaj është shoqëruar personi, i cili po tentonte të shqetësonte zgjedhësit dhe komisionin që po punonte brenda kësaj qendre. Sipas policisë nuk ka incidente të tjera.

Policia:- “Sot në datën 12.10.2003 rreth orës 7:40 minuta në qendrën e votimit numër 158 Sukth-Durrës, shtetasi Vladimir Shehu, anëtar i KZQV Sukth, pasi ka mbaruar votimin e tij në këtë qendër, kur ka dalë jashtë qendrës, ka parë në afërsi të murit rrethues të qendrës së votimit kandidatin socialist për në këshillin bashkiak të komunës Sukth, Nexhip Hyseni me tre të tjerë dhe i ka kërkuar që të largoheshin që aty, sepse nuk lejohej. Kërkesë e cila është refuzuar dhe është shoqëruar me fjale ofenduese nga të dyja palët dhe duke shtyrë njëri-tjetrin. Në vend u dërgua grupi hetimor dhe shtetasit Vladimir Shehu iu morë kallëzim dhe iu dha vendimi për kryerje të ekspertimit, i cili u refuzua, duke u shprehur se nuk kërkon ndjekje ligjore të problemit ndaj kandidatit socialist për këshillin bashkiak. Rreth orës 12:45 minuta në Qendrën e Votimit nr. 14/68 që ndodhet në shkollën e re në Kënetë, i është bërë kërkesë me shkrim policisë për të ndërhyrë në këtë qendër votimi, sepse po shqetësoheshin nga një person. Menjëherë pas marrjes së kërkesës nga komisioni zgjedhor është ndërhyrë në qendrën e votimit dhe u bë shoqërimi i shtetasit B.D. lindur në Tropojë dhe banues në lagjen 17 në Durrës. Edhe në ambientet e paraburgimit të drejtorisë së policisë Qarkut Durrës, po zhvillohet votimi, i cili po vijon pa probleme, i monitoruar nga vëzhgues të OSBE”./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj