Kur kanë mbetur vetëm disa orë nga zhvillimi i zgjedhjeve të 25 qershorit, Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, u ka bërë apel të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit që të qëndrojnë larg çdo veprimtarie të paligjshme dhe të kryejnë detyrën e tyre. “
Ju bej thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit të qëndrojnë larg çdo veprimtarie të paligjshme zgjedhore gjatë ditës së zgjedhjeve.
Të zbatojnë me përpikmëri detyrat që iu ngarkon ligji për Policinë e Shtetit, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal”.
Gjithashtu Demiraj, sikurse Kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako, ju bëri thirrje qytetarëve që të që të angazhohen për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të barabartë si dhe të denoncojnë ccdo parregullsi që do të hasin gjatë ditës së votimit.
Fjala e plotë e Ministrit Demiraj:
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj përgëzon të gjithë aktorët e përfshirë në këtë fushatë zgjedhore dhe veçanërisht qytetarët shqiptarë për zhvillimin e një fushate të qetë dhe përgjithësisht pa incidente serioze.
Ai inkurajon Policinë e Shtetit që të kryejë detyrën ligjore me përgjegjësi dhe përkushtim për garantimin e kushteve të nevojshme për të pasur një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt.
Ministri Demiraj përgëzon aksionet e Policisë në Shkodër dhe në Vlorë dhe kërkon nga Policia e Shtetit që të veprojnë në mënyrë më të vendosur ndaj personave të përfshirë në shit-blerje votash pa diskriminime partiake.
Ministri iu bën thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit të qëndrojnë larg çdo veprimtarie të paligjshme zgjedhore gjatë ditës së zgjedhjeve.
Të zbatojnë me përpikmëri detyrat që iu ngarkon ligji për Policinë e Shtetit, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal.
Monitorimi i veprimtarisë së tyre është dhe do të jetë i rreptë deri në përfundim të procesit.
Për çdo shkelje të konstuar masat do të jenë të ashpra për këdo të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të barabartë duke qenë aktiv në denoncimin e shkeljeve ligjore që kanë të bëjnë me përfshirjen e policisë në procesin zgjedhor apo për raste të shitblerjes së votës, intimidimit apo kërcënimit të votuesve dhe veprimeve të tjera të paligjshme.
Qytetarët janë të ftuar të denoncojnë në numrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme 0694137777 (me sms, WhatsApp, Viber), si dhe në numrin falas të Policisë së Shtetit 0800 0 129./
tvklan.al