Ka zgjatur një orë protesta e deputetëve të PD-së para Parlamentit Europian në Strasburg. Kreu i Këshillit Kombëtar të selisë blu, Edi Paloka tha se anëtarët e Partive Popullore Europiane janë informuar për situatën politike në Shqipëri, “sulmin ndaj opozitës nga mazhoranca, burgosjen e lidershipit dhe ndikimin e krimit dhe korrupsionit në qeverisje”.
“Partitë Popullore Europiane mbështesin PD, vlerësojnë kontributin e saj dhe kërkojnë luftë të ashpër ndaj krimit të organizuar, korrupsionit pastrimit të parave dhe influencën e tyre në qeverisjen e vendit. Partitë Popullore do të mbështesin PD në procesin zgjedhor dhe luftën e saj dhe të opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria si vend anëtar i NATO duhet të respektojë votën e lirë të qytetarëve dhe të zbatojë detyrimisht rekomandimet e OSBE-ODIHR. Këto janë informacionet që më kanë dërguar kolegët nga brenda që vijojnë të kenë takime deri pasditen e sotme”, tha Edi Paloka në një komunikim për mediat.
Rreth 30 deputetë të PD protestuan para PE-së. Disa prej tyre u takuan me eurodeputetë.
Demokratët shpalosën pankarta para PE-së për të tërhequr vëmendjen e europianëve për situatën në Shqipëri, për të cilën thonë se po drejtohet nga një sistem diktatorial./tvklan.al