Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Deputetët demokratë të përjashtuar nga delegacionet ndërkombëtare kanë kërkuar sot votim të fshehtë në grupin parlamentar demokrat. Për këtë vendim të këshillit kombëtar në emër të reformatorëve ish-kryetari demokrat Tritan Shehu ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kongresit jashtëzakonshme me monitorimin edhe të EDU për të shfuqizuar vendimet antidemokratike të Berishës.

Gazetari:- A mos shtrëngohet aq shumë laku sa ju mos qëndroni më brenda PD të bëni një lëvizje tjetër politike duke marrë parasysh takimet që po zhvilloni në bazë?

Tritan Shehu, deputeti i PD:- “Ju keni të drejtë. Një nga arsyet që bëhet kjo gjë është pikërisht që të të bëjë jetën e padurueshme në strukturat e PD. Por ata që llogarisin kështu, gabojnë rëndë sepse ne mendojmë të vazhdojmë të luftojmë në këtë mënyrë siç po luftojmë dhe të fitojmë, dhe të jeni të bindur që do fitojmë sepse të tilla veprime nuk mund të kenë jetë të gjatë në një vend i cili ka hyrë tashmë në rrugën e zhvillimeve demokratike. Unë them se duhen ndjekur procedurat. Duhet bërë votim i fshehtë i grupit parlamentar. Një votim i fshehtë do të përmbysi rezultatin dhe vendimin e këshillit kombëtar”.

Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar demokrat Jemin Gjana thekson se këta deputetë janë vetpërjashtuar dhe është partia ajo që vendos mbi fatin e mëtejshëm të tyre.

Jemin Gjana, deputet i PD:- “Vendimi i Këshillit Kombëtar dje, unë mendoj që është shprehje e qëndrimit të PD ndaj deklaratës për dorehëqje nga të gjitha funksionet politike të PD të këtij grupi”.

Gazetari:- A mund të bie ndesh kjo me rregulloren e Parlamentit e cila ka përcaktuar grupet të cilat do përfaqesojnë në organizma ndërkombëtare Parlamentin Shqiptar?

Jemin Gjana, deputet i PD:- “Jo. Gjithmonë e drejta e përfaqësimit është një e drejtë politike që e përcakton vetë partia s’mund ta përcaktojnë individët veçanërisht kur ato deklarohen se përbëjnë alternativa ndryshe nga alternativa që ka partia me program të saj të miratuar në Kuvendin e partisë”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame