Takimi i parë i Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, në Shqipëri ka qenë me homologun e tij, ministrin në detyrë Gent Cakaj. Siç duket nga fotot e publikuar nga zyra për shtyp e Ministrisë së Jashtme, Cakaj dhe Dendias ishin të pajisur me maska ndërsa vetë u takuan me bërryl.

Pas takimit, Cakaj reagoi në rrjetet sociale ku tha se me Dendias kanë vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe kanë theksuar rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe. Cakaj shprehet se Greqia mbështet Shqipërinë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Duke marrë parasysh strukturat mbështetëse të Shqipërisë, vlen të theksohet se Greqia mbështet mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, duke marrë parasysh arritjet domethënëse të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Greqia, po ashtu, do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023.  Shqipëria dhe Greqia do të shtojnë ritmin e punës së përbashkët e do të thellojnë bashkëpunimin në çdo fushë të interesit të ndërsjellë”, tha Cakaj.

Ndërkohë që Dendias zhvillonte takimin në ambientet e Ministrisë së Jashtme, përballë saj u zhvillua një protestë nga PDIU dhe Shoqata “Çamëria”. Ata kundërshtonin vizitën e ministrit të Jashtëm grek.

Pamje nga protesta, kreu i PDIU-së hedh shishe uji në drejtim të policisë

Protestuesit u përballën me policinë, e cila kishte rrethuar institucionin dhe e cilësoi tubimin të paligjshëm. Ata pretendojnë se vizita e Dendias nuk parashikon çështjet që shqetësojnë shqiptarët si çështja çame, por çon përpara axhendën greke. Mësohet se si pasojë e tubimit janë shoqëruar në polici disa persona. /tvklan.al