Agron Duka i pandehuri për vrasjen e të riut Dorian Bena nuk u paraqit në seancën ku prokurori do të jepte konkluzionet përfundimtare të çështjes. Përfaqësuesi i akuzës, Bledar Bejko kërkoi dënimin me 20 vjet heqje lire për të pandehurin me akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje.
Bledar Bejko: Në vendin e quajtur fshati Ibë dhe pikërisht në lokalin e shtetasit Sefer Sherifi i pandehuri Agron Duka, në grindje e sipër e duke përdorur një armë zjarri pistoletë të tipit tt, të cilën e mbante pa leje të organeve kompetente ka vrarë me të viktimën Dorian Bena. Përfundimisht në aplikimin e nenit 55 të Kodit Penal, i kërkojmë gjykatës dënimin e tij me 20 vjet burgim.
Avokati i të pandehurit kërkoi një dënim më të butë nga gjykata duke argumentuar se klienti i tij ka çrregullime psikike dhe se është penduar për krimin që ka bërë.
Avokati i Agron Dukës: Theksoj se i mbrojturi prej meje, Agron Duka deri në vitin 1997 ka qenë punonjës në SHIK, ku për shkak të detyrës gjatë kohës që ka qenë në marrëdhënie pune, si dhe më pas është plagosur tre herë nga persona të paidentifikuar, duke u shtruar herë pas here në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku nga ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar me komacion të trurit dhe thyerje të vertebrës. Sipas aktit mjeko-ligjor të administruar në dosje, sëmundje këto që kanë ndikuar ndjeshëm në çekuilibrimin e tij psikik. Edhe në seancën gjyqësore i mbrojtur prej meje me kërkesën për gjykim të shkurtuar si dhe me deklarimet e tij, ai u shpreh para gjykatës se ndihet thellësisht i penuar për veprën penale të kryer.
Gjykata do të vendosë për masën e dënimit për ish-punonjësin e SHIK-ut Arben Duka në seancën e ditës së hënë.
…
Dy persona kanë dëshmuar për çështjen e kontrabandës e cila ka filluar prej disa muajsh në Gjykatën e Tiranës. Një punonjës policie nga Vlora dhe një punëtorë nga Puka dhanë shpjegime në lidhje me mallrat kontrabandë që janë kapur gjatë vitit ’98 në këto dy qytete.
Dëshmitari nga Vlora tha se kishte parë një skaf të madh të ngarkuar me cigare në gjirin e Kakomesë. Avokatët mbrojtës të 17 të pandehurve asnjëri prej të cilëve nuk është i pranishëm në sallë, kundërshtuan shpesh prokurorin dhe deklarimet e dëshmitarëve me pretendimin se ato nuk bëjnë provë për çështjen.
Prokurori Bilbil Mete hoqi dorë nga pyetja e disa dëshmitarëve të tjerë, të cilëve nuk u gjendet adresa dhe njëri prej tyre ka vdekur.
Çështja e kontrabandës përfshin katër dosje nga rrethet Vlorë, Pukë, Kukës dhe Tiranë ku prokuroria pretendon se janë kaluar mallra kontrabandë nga të pandehurit Seit Fishta dhe 16 të akuzuar të tjerë.
Dëmi i shkaktuar shtetit nga këto veprimtari sipas punonjësve të doganave që përfaqësohen nga një jurist në këtë çështje është rreth 700 milionë lekë të vjetër./tvklan.al