Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës shpalljen fajtore të ish-drejtoreshës së ARRSH-së, Sonila Qato, për akuzën e “Shklejes së barazisë në tendera” dhe dënimin e saj me 1 vit burg.

Gjithashtu për Qaton u kërkua edhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite. 10 vite burg në total u kërkua nga SPAK për 9 të pandehurit e tjerë në këtë proces dhe heqjen e të drejtës që ata të mbajnë poste publike për periudha 2 apo 3 vjeçare.

SPAK thotë se Qato dhe vartësit e saj, të marrë të pandehur se favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë.

Shoqëria e favorizuar ishte krijuar formalisht në mënyrë që të fitonte procedurën, por në të vërtetë punimet do kryheshin nga një tjetër kompani, që referuar hetimeve ishte e paracaktuar nga drejtuesit dhe zyrtarët e ARRSH.

Sonila Qato dhe të pandehurit e tjerë në procesin e zhvilluar me procedurë të zakonshme, kanë mohuar akuzat e SPAK dhe kërkojnë pafajësi.


PRETENCA E SPAK

Sonila Qato – 1 vit burg

Simon Prendi – 2 vite burg

Elona Gogo – 1 vit burg

Erdit Salillari  –  9 muaj burg

Admir Pahumi  – 1 vit burg

Nikollaq Mihali  – 8 muaj burg

Miranda Shkurti – 16 muaj në shërbim prove

Arber Troka – 2 vite burg

Almir Hoxhaj – 2 vite burg

Arjana Hasani – 4 vite në shërbim prove


Tv Klan