37 vite burg për 16 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë
Gjykata e Lezhës ka dënuar me 4 vite burg ish-kryetarin e Bashkisë Fran Frrokaj me akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e Shëngjinit.
Frokaj përfundoi në prangat e policisë në Mars të 2018-tës së bashku me disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë. Paraditen e së enjtes, Gjykata e Lezhës ka dënuar në total me 37 vite burg 16 persona, ndërsa ka shpallur të pafajshëm ish-futbollistin e Vllaznisë Renato Malota. Sipas vendimit të gjykatës, me 2 vite burg është dënuar ish-drejtori i Hipotekës Artan Djala dhe me 4 vite heqje lirie ish-kryetari i Qarkut Lezhë, Gjok Ndoka.
Ndërsa vartësi i Frrokajt që mbante postin e nën kryetarit të Bashkisë Enver Hafizi, u dënua me 1 vit heqje lirie. Fran Frrokaj dhe zyrtarët e arrestuar akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234.548 m2 tokë shtetërore. Ish-kryebashkiaku do të vijojë të qëndrojë i lirë deri në një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Tv Klan