Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas votimit të qeverisë dhe mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit në Kuvend. Mbledhja e grupit parlamentar socialist në mesditën e së martës, përcakton nëse do të respektohet ose jo statuti i partisë që parashikon përjashtimin e deputetëve që nuk marrin pjesë apo votojnë kundër qëndrimeve të partisë.

Deputetët ani-Nano të mbetur në minorancë brenda grupit parlamentar socialist, deklarojnë se nëse përjashtohen do të gjejnë një formë tjetër përfaqësimi në Kuvend.

Mustafa Muçi:- “Nëse do të bëhet përjashtimi sigurisht që ne do të gjejmë mënyrën më të përshtatshme që të përfaqësohemi në mënyrë sa më dinjitoze në Kuvendin e Shqipërisë”.

Spartak Braho:- “Po sipas Ali-komikut të PS, do të përjashtohet, tani të shohim se ç’do të bëjnë ata”.

Këta deputetë shpjegojnë qëndrimin e tyre politik, si ndaj mospjesëmarrjes në votimin e mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit, ashtu edhe pjesa që votoi kundër mocionit deklarohet kundër shefit të mazhorancës.

Spartak Braho:- “Ajo votë nuk është votë për Nanon, por është votë për pushtetin e socialistëe kundër Sali Berishës”.

Mustafa Muçi:- “Përsa i takon qëndrimit lidhur me votimin e mocionit të paraqitur nga opozita, ndaj kryeministrit Nano, dua të them, se ky qëndrim ishte vazhdimi i qëndrimit që ne kemi mbajtur më parë ndaj kryeministrit Nano, ku kemi kërkuar në vazhdimësi largimin e tij”.

Kundërshtarët e Nanos brenda partisë mbështesin deklaratën e kreut socialdemokrat Skënder Gjinushi për dorëheqjen e kryeministrit.

Mustafa Muçi:- “Pavarësisht se zoti Gjinushi e ka paraqitur atë me një bazë morale, unë mendoj se ajo është mbi të gjitha një deklaratë e cila motivohet politikisht”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj