Jo të gjithë deputetët demokratë janë të vendosur të votojnë kundër kandidaturës të Robert Çekut për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qëndrimi për të rrëzuar dekretet e Presidentit është marrë në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike dy ditë më parë, por, përpara këtij vendimi, deputetët janë vënë në vështirësi për shkak të miqësive personale që kanë me republikanin Çeku.
Gazetarja: “Ju vetë si do të votoni për kandidaturën e zotit Çeku?”
Sali Shehu: “Unë e kam mik zotin Çeku, e respektoj. Është një ndër miqtë e mi, por polemika ka pasur në opinion publik lidhur me kandidaturën e tij si kryetari i Kontrollit të Shtetit.”
Gazetarja: “Meqenëse e keni mik, nuk mund të votoni pro për të?”
Sali Shehu: “Unë, meqenëse e kam mik, mund ta ftoj mbas votimit për kafe, ndërsa votimi është çështje tjetër.”
Pal Dajçi: “Unë mendoj që ata demokratë apo republikanë që kanë një mandat të votuar në zgjedhjet e shkuara, nuk mendoj që do t’i dalin kundër ose do të kenë moral që t’i dalin kundër vendimit që kanë marrë drejtuesit e forcave politike.”
Grupi pralamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet sërish përpara seancës parlamentare për të përcaktuar përfundimisht votën që duhet të japin ligjvënësit demokratë.
Deputetët reformatorë dhe të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar tashmë e kanë deklaruar votën e tyre pro kandidaturës së Robert Çekut e ndërsa mbetet për t’u parë respektimi i vendimit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. /tvklan.al