Deputetë të Grupit Kuvendor Demokratë kanë parë nga afër vendin ku u zbuluan varret e disa prej të ekzekutuarve gjatë regjimit komunist.
Bëhet fjalë për 19 skelete të shpërndarë në rreth 300 metra gjatësi në këmbët e Malit Dajt, shumë pranë një reparti ushtarak, sot jashtë funksionit. Bashkë me skeletet në gërmime janë gjetur edhe sende personale të të ekzekutuarve.
Deputetja demokrate, Mesila Doda tha, se zbulimi i këtyre varreve duhet të jetë një moment i fortë reflektimi, për të kuptuar nevojën e pastrimit të shoqërisë shqiptare nga vrasësit dhe persekutorët e fjalës së lirë.
Mesila Doda: “Ky shteg mund të quhet sot shtegu i vdekjes. Mendoni që para shumë vitesh këtu i sillnin njerëzit të lidhur, duke i zvarritur dhe i ekzekutonin. Ekzekutonin pa vendime, i ekzekutonin si kafshë dhe hiqnin mënjanë atë pjesë më të madhe, që është shpirti njerëzor. Ne jemi këtu një grup të Partisë Demokratike pikërisht për të rikujtuar këto krime makabre të atij regjimi. Sot askush nuk mund të fshihet dhe të thotë kështu ishin ligjet, kështu ishte koha. Ky është një regjim i cili duhet të dënohet nga ne dhe nga të gjithë brezat që vijnë. Njerëzit që kanë dhënë vendime, njerëzit që kanë vrarë, njerëzit që kanë ekzekutuar, sot nuk mund të qëndrojnë më në drejtime, nuk mund të vazhdojnë dot më të jenë në krye të gjykatave”.
Deputetja Doda tha, se Partia Demokratike është e vendosur ti shkojë deri në fund iniciativës për një referendum popullor, për miratimin e ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë.
Deputeti Genc Strazimiri vlerësoi nevojën e përcaktimit të një ditë që përkujton viktimat e regjimit komunist.
Gent Strazimiri: “Mendoj që ju detyrohemi atyre, që një ditë në vit të mendojmë për ta. Të mendojmë për ta dhe t’u themi fëmijëve tanë se përse kjo nuk duhet përsëritur. Mëngjesi i parë i kësaj periudhe makabre ka qenë 29 nëntori i vitit 44. Me 29 Nëntor ne me ligj jemi të detyruar të bëjmë pushim. Ndoshta do të ishte kjo dita kur do të duhej dhe të mendonim pak për këto varre, që po gjejmë akoma sot mbas 60 vitesh të shpërndara nëpër Shqipëri”.
Zbulimi i këtij varri masiv ka sjellë në këtë zonë dhe familjarë të tjerë viktimave të regjimit, në përpjekje për të gjetur trupat e të afërmve të tyre edhe falë dëshmive të banorëve, mendohet se gjetja e këtyre trupave martir të regjimit komunist ndoshta nuk do të jetë e fundit në këtë zonë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi