Pas 6 muajsh shtyrje seancash, Gjykata e Posaçme ka vendosur të pranojë për gjykim dosjen hetimore të sterilizimit.
Të pandehur janë marrë zyrtarisht: Ilir Beqaj ish-Ministër i Shëndetësisë, ish zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Illir Rrapaj, të cilët do të gjykohen për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal.
Beqaj deklaroi në seancën e kësaj kësaj të enjte se e ka pasur të pamundur të mbrohet efektivisht.
“Ftesa juaj për t’u mbrojtur ndaj këtyre akuzave është fiktive dhe ka për qëllim që të mashtrojë procesin e rregullt ligjor a thua sikur ne na janë respektuar të drejtat tona procedurale dhe ne kemi qenë të qartë për akuzën. Por kjo nuk është e vërtetë. Ne nuk jemi të informuar qëllimisht nga ana juaj. Nuk mund të mbrohemi për akuza të pasqaruara”, tha Ilir Beqaj.
Ish-Ministri i Shëndetësisë deklaroi se procesi ndaj tij është i ndikuar politikisht. Sipas Beqaj, SPAK ka mbështetur akuzat e demokratëve.
“Ndikimi është dukshëm politik, konformist, personal dhe shoqëror. Vendimmarrjen tuaj e ka duartrokitur si z. Sali Berisha ashtu dhe znj. Albana Vokshi, sepse ju keni mbështetur akuzat e tyre politike. Ç’rëndësi ka nëse unë kam vjedhur apo jo? Në të vërtetë e rëndësishme është që PD të ketë tani gojë të pretendojë që unë jam hajdut”, tha Beqaj.
Gjithashtu Ilir Beqaj është i akuzuar edhe për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj, SASPAK.
Klan News