Skena të turpshme shënuan fundin e derbit të 174 të Beogradit. Crvena Zvezda mposhti bindshëm 4-0 Partizanin dhe tensionet në radhët e tifozëve ishin të larta. Gjithçka e nisur që në fushën e lojës, ku në qendër të pakënaqësive ishte trajneri i Partizanit, Aleksandar Stanojeviç. Drejt tij u hodhën sende të forta, teksa pas hyrjes në ambientet e brendshme të stadiumit, huliganë të skuadrës u futen me forcë gjë që ka prodhuar incidente të rënda.
Tifozët thyen me gur xhamin e dhomës së zhveshjeve të Partizanit, duke shkaktuar lëndime tek anëtarët e skuadrës bardhezi. Trajneri Stanojeviç, i cili në atë moment ndodhej pranë dritares, ka pësuar prerje në kokë dhe qafë, teksa lëndime ka pësuar edhe ndihmësi i tij. Pas ndihmës së parë, Stanojeviç doli para mediave, ku dukej qartë se kishte marrë dëmtim sipër syrit të djathtë.
“Tifozët thyen xhamin, është e pakëndshme. Unë erdha me fasho në konferencën për shtyp, por nuk ka asnjë arsyeje për të bërë teatër. Nuk kishte asgjë më shumë, asnjë zënkë dhe konflikt fizik. Është një turp për të gjithë ne”, tha Stanojeviç.
Ky incident vjen si një goditje shtesë për bardhezinjtë, pas një disfate të rëndë në fushë dhe thellimit të krizës në klub. Policia ka nisur hetimet, ndërsa pritet që autorët e këtij sulmi të dhunshëm të identifikohen dhe ndiqen penalisht. Tensioni pas derbit, i cili u shënua jo vetëm nga fitorja bindëse e Zvezdës, por edhe me incidente, e komplikon më tej situatën te Partizani, ndërsa të gjithë në klub shpresojnë në një rikuperim të shpejtë të anëtarëve të dëmtuar.
Klan News