Kjo skenë e filmit të mirënjohur Titanik është diskutuar për vite me radhë nga audienca e gjerë, madje po vazhdon edhe sot pas 27 vitesh, nëse kishte vend edhe për Jack mbi dërrasën që pluskonte mbi ujë.

Tashmë, kjo pjesë e drurit e përdorur në film që ndihmoi Rose të shpëtonte nga mbytja është shitur në ankand për shumën 718,750 Dollarë.

Kjo pjesë druri e modeluar për derën në hyrjen e dhomës së pritjes në klasin e parë të anijes Titanic, shpëtoi Rose nga mbytja, ndërsa Jack ngriu nga i ftohti në pamundësi për t’u ngjitur mbi të.

Fansat e filmit kanë dyshuar gjithmonë se mbi dërrasë kishte vend edhe për Jack.

Por regjisori i filmit Titanic, James Cameron, thotë se këto diskutime janë të kota.

“Në faqen 147 të skenarit thuhet që Jack vdes. Mendoj se është tërësisht e panevojshme që ne po e bëjmë këtë diskutim 20 vite më vonë. Por kjo tregon që filmi e bëri Jack shumë të dashur për publikun saqë u dhimbte fakti kur e panë të vdiste. Po të kishte jetuar, fundi i filmit do të ishte pa kuptim. Filmi ka të bëjë me vdekjen dhe ndarjen, Jack duhej të vdiste. Quhet art, gjërat ndodhin për arsye artistike, jo për arsye fizike”, ka thënë më herët regjisori i filmit.

Megjithatë, pavarësisht këtij diskutimi, tashmë blerësi i copës së dërrasës të përdorur në film, do të ketë mundësinë të provojë vërtetë nëse mund të qëndrojnë dy persona mbi të.

/tvklan.al