Drejtori i Përgjithshëm i Doganave i është përgjigjur gjatë një konference për shtyp akuzave të opozitës se të ardhurat doganore të deklaruara nuk janë reale, akuza këto të bëra në emision Opinion të Blendi Fevziut, të enjten në mbrëmje në televizionin Klan, ku të ftuar ishin ministrat Bode, Olldashi dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste Beqja e Cani.
Përparim Dervishi: “Mbrëmë kam ndjekur një debat televiziv në një nga kanalet e dëgjuara televizive dhe kishte shumë hamendje dhe hipoteza se kush është arsyeja, shkaku i rezultateve pozitive të administratës doganore. Nuk është rritja e % së akcizës apo niveli i TVSH-së si fliste në studio një nga zëdhënësit e PS-së dje, por është se sistemi doganor funksionon. Nuk konsiderohet abuzim dhe vjedhje kur merr detyrimet që i takojnë subjekteve, kur vjel të gjitha detyrimet dhe taksat që u takojnë atyre. Abuzim dhe vjedhje konsiderohet kur këto të ardhura nuk derdhen në buxhetin e shtetit.”
Kreu i doganave i ka bërë këto deklarata gjatë analizës së punës së 8 mujorit të administratës doganore. Sipas shifrave të bëra publike nga Dervishi, realizimi i të ardhurave doganore është në nivele të kënaqshme, duke tejkaluar edhe të ardhurat e të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Përparim Dervishi: “Ne kemi realizuar planin e të ardhurave 101% në total një tejkalim prej 673 milion lekësh krahasuar me planin e vitit 2008 si një plan i rishikuar. Krahasuar me 8 mujorin e parë të vitit të kaluar kemi realizuar të ardhura doganore në masën 115%, pra 15% më shumë.”
Rritje të ndjeshme për Dervishin ka njohur zhdoganimi i mallrave të akcizës, cigaret, karburanti, pijet alkoolik dhe kafeja. Në nivele të kënaqshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë për Dervishin janë edhe importet dhe eksportet e në mënyrë të veçantë eksportet e prodhimeve të njohura si Made in Albana./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka
Operator Metlin Kepi