Lajme Arkiva 2003

Kjo është Dëshira Subashi anëtarja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e cila është bërë shkak i një debati politik mes opozitës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucionit të Presidentit dhe kryeministrit. Dita e parë e punës si anëtare e KQZ-së për ish gjyqtaren e Gjykatës së Apelit është shoqëruar gjatë mbledhjes së radhës me reagime nga ana e përfaqësuesve të opozitës. Përfaqësuesi i partisë demokratike Ferdinand Pone tha se zgjedhja e zonjës Subashi ka prishur formulën që parashikonte sipas tij një tjetër përbërje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ferdinand Pone: Ne kemi mendimin se mos aplikimi i formulës që parashikon neni 22 i kodit Zgjedhor sikurse e kam ngritur edhe për zotin Toska, e dëmton seriozisht të gjithë procesin zgjedhor, vetë integritetin e komisionit qendror të zgjedhjeve dhe ruan në një lloj mënyre, në mënyrë tepër të ndjeshme dhe thelbësore avantazhet politike që mund ti vini njërës forcë politikë të rëndësishme në proces të Partisë Socialiste nga transmetimi me lehtësi të vullnetit të saj në komisionin qendror të zgjedhjeve dhe pastaj në të gjitha hallkat e tjera. shume më e rëndësishme se emrat e personave është vetë procesi zgjedhor në Shqipëri, është integriteti i zgjedhjeve dhe i institucioneve që dali prej tyre.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjeti rastin ti përgjigjet përfaqësuesit të Partisë Demokratike se po ushtrohet presion ndaj një institucioni të pavarur siç është ky komision dhe se debati politik i krijuar nuk duhet të cënojë punën e KQZ-së.

Ilirjan Celibashi: Unë konsideroj se debati që bëhet në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është një debat në të cilin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk merr pjesë në mënyrë absolute. Kjo është një çështje e cila i takon institucioneve të tjera, i takon klasës politike shqiptare, ne nuk kemi asnjë koment, ne jemi duke bërë punën tonë me përgjegjësi ligjore dhe përgjegjësi qytetare. Unë deklaroj të paktën personalisht se e ndiej veten mjaft të fyer nga komentet që bën kushdo qoftë i lidershipit politk. Anëtarja e re e Komisionit Dëshira Subashi ka qenë e prerë në përgjigjen  saj të vetme për shtypin se ajo tashmë ka nisur punën.

Dëshira Subashi: Ju e shikoni që sot isha në punë.

Zonja Subashi la të kuptohet se nuk bëhet fjalë për një dorëheqje të mundshme të saj nga ky post ashtu siç u sugjerua nga disa juristë të cilët e shohin këtë si një mënyrë zgjidhje të kësaj situate./tvklan.al