Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ka dështuar tryeza e parë e partive parlamentare, për të arritur konsensus për KQZ dhe ndarjen e zonave elektorale. Që në fillim tryezën e ka karakterizuar tensioni mes palëve, sepse përfaqësuesit e mazhorancës, kërkuan përfaqësimin në këtë tryezë të Partisë së Re Demokratike, si parti parlamentare, ndërkohë që merrnin pjesë konservatorët që nuk kanë deputet në parlament.

Përsa i përket KQZ, socialisti Malaj kërkoi nga opozita t’i bënte thirrje për dorëheqje, komisionerëve të saj Zguri e Kokaj dhe presidenti të nisë konsultimet për dy vendet që mbeten vakant në këtë komision. Opozitarët Bode e Mediu, propozuan krijimin e Komisionit Qendror Zgjedhor me 7 përfaqësues nga 7 parti të renditura të parat në zgjedhjet parlamentare, ndërsa vendim-marrja me 5 vota nga 7 të mundshme.

Në përfundim të tryezës kryetari i grupit parlamentar socialist Arben Malaj dhe sekretari i përgjithshëm demokrat Ridvan Bode u shprehën.

Arben Malaj:- “Kompromisi që ne besojmë që duhet të evidentohet si i tillë, ishte së pari që të gjitha forcat politike të kërkojnë që pjesa e mbetur e KQZ, të tërhiqet dhe së dyti, ne dhamë mirëkuptimin që koha për ndarjen elektorale, negociatat për mirëkuptim ligjor, të vazhdojnë edhe gjatë kohës që drafti do të jetë pranë komisionit të caktimit të kufijve”.

Ridvan Bode:- “Përfundimisht nga ana e përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, nuk u pranua asgjë lidhur me mundësitë e mirëkuptimit për besueshmëri më të lartë politike. Ne ofruam disa formula, që ose të 7 partitë politike, më të mëdha në zgjedhjet e fundit parlamentare të kenë të drejtën e propozimit të nga një anëtari. Pra ne nuk kemi kërkuar prishjen e Kushtetutën, por brenda kompromisit dhe kuadrit kushtetues, të mund të ofrojmë një kompromis të përbashkët”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame