Të tjera detaje kanë dalë në dritë sa i përket gomones me rreth 2 ton marijuanë, të kapur nga autoritetet italiane në Fano. Nga hetimet rezulton se 92 pakot kishin të shkruar sipër destinacionin ku do çoheshin, për shembull: Bologna, Verona, Perugia, Ankona etj.

Droga do të transportohej në këto qytete me një furgon të një kompanie ndërtimi. Gomonia e kapur ishte 7 metra e gjatë dhe me 2 motorë të jashtëm, me nga 240 kuaj fuqi secili. 5 shqiptarë tashmë të arrestuar kanë marrë avokatët, por deri tani asnjë emër nuk është bërë publik.

Operacioni i policisë italiane u krye në afërsi të grykëderdhjes së lumit Metauro, dy ditë më parë. Policia vuri re që 2 persona me një makinë “Alfa Romeo” u fshehën në një kallamishte dhe filluan të bënin shenja me lazer në drejtim të detit. Rreth 30 minuta më vonë erdhi edhe një kamion.

Në breg është afruar një gomone dhe me shpejtësi, dy persona shkarkonin drogën nga gomone dhe dy të tjerë e ngarkonin me shpejtësi në këtë kamion.

Në mes të kësaj ka ndërhyrë policia, e cila ka kapur në befasi 5 trafikantët. Ata kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar shumë shpejt duke u prangosur. Nëse hidhej në trego droga kapte vlerën e 18 milionë euro.

/tvklan.al