Mbrëmjen e kësaj të Hëne, do të organizohet ceremonia e “Topit të Artë 2024” në Shqipëri, event i cili do të transmetohet ekskluzivisht në TV Klan.

Gazetari Erion Todhe, zbuloi detaje nga ceremonia, ku tha se do të ketë dy çmime të reja, që do të jepen për lojtarët e Kombëtares shqiptare.

Sipas tij, do të jetë edhe një surprizë e madhe, e cila ende nuk është zbuluar nga organizatorët. Todhe ndër të tjera u shpreh se më i kuotuari për të fituar “Topin e Artë” është sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj.

“Janë disa çmime që do të jepen në mbrëmjen e sotme. Ka kandidatë të ndryshëm për çmimet. Bekim Balaj shihet si më i kuotuari për ‘Topin e Artë’, ndërsa kandidatë janë edhe Aleksi, Rashica dhe Rrapaj.

Kam zbuluar se edhe dy çmime të tjera që do i kushtohen futbollistëve të Kombëtares. Sot shumica e lojtarëve të Shqipërisë do të jenë të pranishëm. Më thanë se do të jetë edhe një surprizë e madhe, të cilën organizatorët nuk e zbulojnë.

Këtë herë ka ndryshuar edhe emri duke u quajtur “Topi i Artë”. Herët e tjera ka qenë ‘Mbrëmja Gala’. Janë ndërthurur elemente të spektaklit, futbollit, sportit dhe jetës që kanë lidhje me futbollin shqiptar.

Do jetë më shumë në formën e një show, sesa në një ceremoni për ndarjen e çmimeve. Disa detaje na i tha edhe presidenti i Armand Duka”, deklaroi Todhe.

Ceremonia “Topi i Artë 2024”, do të transmetohet ekskluzivisht në TV Klan, duke nisur nga ora 20:00. /tvklan.al