Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj një punonjësi të AMA-s nga një përfaqësues i një subjekti ISP i cili ishte ndëshkuar sipas ligjit për aktivitet të palicencuar nga AMA.

“Si burim i shkeljeve më të mëdha ligjore, sidomos transmetimeve pa licence apo piraterisë së përmbajtjeve audiovizive, subjektet ISP janë prej kohësh nën vëzhgimin e rreptë të ekipeve tona të punës. Çdo rast i paligjshëm është ndëshkuar sipas legjislacionit në fuqi. Sot, një shkelës i ligjit ka dhunuar fizikisht një prej anëtarëve të ekipit të inspektimit, i cili ishte në krye te detyrës”, bëri ajo me dije përmes një postimi në rrjetet sociale.

Krasniqi shpreh bindjen ndër të tjera se institucionet e rendit dhe drejtësisë do të bëjnë punën e tyre më së miri në lidhje me këtë incident. Po ashtu thekson se lufta kundër piraterisë është misioni i AMA-s dhe për individët e tillë jep vetëm një mesazh.

“Shpreh bindjen dhe besimin se institucionet e rendit dhe drejtësisë do të bëjnë më së miri punën e tyre, për këtë incident të turpshëm dhe të paprecedent. Rregullimi i tregut audioviziv, ligjshmëria e tij, lufta kundër piraterisë në të gjitha format e shfaqjes së saj, është misioni ynë dhe puna jonë e çdo dite. Prandaj për individë të tillë kam vetëm një mesazh: Çdo shkelës do të marrë dënimin sipas ligjit”, shprehet ajo./tvklan.al