Një anije cisternë është përfshirë nga flakët sot në det të hapur në zonën e Kavajës rreth 6 milje larg bregut. Për pasojë dy persona janë lënduar dhe janë dërguar në Tiranë ku po kurohen në repartin e djegieve me plagë të rënda. Këto janë dhe pamjet filmike të marra në portin e Durrësit në kohën e mbërritjes së dy prej të lënduarve.
Anija me flamur panamez ishte e boshatisur, ajo ishte nisur nga porti i Durrësit në drejtim të Vlorës ku dhe do të furnizohej me karburant. Por pa pritur ajo ka marrë flakë duke vënë në rrezik jetën e 7 pjesëtarëve të ekuipazhit,të gjithë shqiptarë.
Zjarri sipas pjesëtarëve të ekuipazhit ka rënë në një pjesë të anijes që ishte përshtatur si Bar-Kafe, arsyet janë ende të paqarta. Dy të plagosurit Alban Lika 36 vjeç dhe Bujar Bejko 30 vjeç janë bllokuar për disa minuta në lokalin e vogël dhe janë shpëtuar nga shokët e tyre.
Ndërkohë që ardhja e ndihmës nga policia e Durrësit dhe ajo e kufirit ka bërë të mundur lokalizimin e flakëve dhe zbarkimin e të gjithë anëtarëve të ekuipazhit. Pas shuarjes së flakëve, anija cisternë është rimorkiuar dhe është dërguar në portin e Durrësit.
Një grup hetimor i përbërë me polic e prokurorë ka nisur punën për përcaktimin e shkaqeve të kësaj ngjarje, e cila për fat të mirë ka përfunduar pa viktima. Ndërkohë që për ngjarjen do të dëshmojnë të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit .
Kapiteni Lulzim Luho dhe punëtorët e tjerë Lulzim Pasha, Llukan Bilali, Nexhmi Boraj, Haki Sheqiri, Ilir Marjana dhe dy të plagosurit Alban Lika dhe Bujar Bejko./tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi