Aktori i njohur Mirush Kabashi do të ngjitet në skenë me një tjetër monodramë, pas suksesit që arriti me “Apologjinë e Sokratit”.
“Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit” me skenar të shkrimtarit francez Eriv-Emmanuel-Shmit do të shfaqet si premiere në teatrin “Aleksander Moisiu” në Durrës dhe do të ketë në qendër një personazh të jetës së përditshme
Mirush Kabashi: “Nuk është ndonjë vepër e cila premton për të bërë furore në aspektin. Nuk është e pasur me ngjarje të mëdha me karaktere me ndërlikime, jo. Mesazhi kryesor i saj është të mos harrojmë faktin që jemi njerëz dhe se pasuria më e madhe njerëzore nuk ekziston në pasurinë materiale, por eksiton në pasurinë shpirtërore që ka njeriu.”
Vepra e shikon fenë islame në një dritë pozitive, në një kohë kur ajo shihet me skepticizëm për shkak të ngjarjeve të ndryshme në botë.
Mirush Kabashi: “Një Moisi i cili po ndërtohet në Muhamed, Kurani i tij nuk është as më shumë as më pak, por vetëm përmbledhje dhe një koncentrat e eksperiencës më të mirë që njeiru mund të fitojë në jetë. Bazat e një shoqërie moderne demokratike vendosen mbi bazat e moralit, jo mbi bazat e demagogjisë, jo mbi bazat e mashtrimit, jo mbi bazat e konfliktualitetit.”
Ndonëse një roman i shkurtër, “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” është vënë në skenë në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme të botës, madje në Francë është përshtatur edhe si film, ku rolin e zotit Ibrahim e luan aktori hollivudian Omar Shahrif./tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi