Trajneri Sylvinho do të zhvillojë edhe një seance stërvitore të fundit zyrtare në kuadër të ndeshjes me Republikën Çeke. Në dispozicion të teknikut janë të gjithë futbollistët, duke qenë të plotë për finalen e parë të muajit Nëntor në Ligën e Kombeve. Shqetësime ka shfaqur Ernest Muçi, por që gjithsesi do të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në fushë.
Talenti i dalë nga akademia e Tiranës pritet të jetë në stol, me Sylvinho që duket se ka pak dilema për formacionin titullarë. Me Strakoshën që prej kohësh nuk ka konkurencë në portë, dyshimet janë se kush do të zbres në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Ivan Balliu shihet i favorizuar kundrejt Elseid Hysaj, për shkak edhe të minutave më të shumta në këmbë në javët e fundit. Ndërkaq, qendra e mbrojtjes pritet të formohet nga Ajeti dhe Ismajli që po kalojnë një formë fantastike. Edhe në të majtë, Mitaj nuk ka konkurencë. Në mesin e fushës, Asllani-Ramadani dhe Laçi shihen më të avantazhuar për të luajtur nga minuta e parë.
Ndërkaq, më i avancuar Bajrami dhe Asani, të cilët do të mbështesin sulmuesin e vetëm, sipas të gjitha gjasave, Indrit Tucin. Ky i fundit e njeh mjaft mirë kundërshtarin, pasi disa prej tyre i ka edhe shokë skuadre te Sparta e Pragës. Formacion i ndikuar edhe nga mungesa të shumta, si Gjimshiti, Kumbulla, Manaj dhe Mirlind Daku, i cili do të jetë i gatshëm për kuqezinjtë vetëm në ndeshjen ndaj Ukrainës.
Shqipëri-Republika Çeke luhet për kreun e renditjes së grupit B1. Momentalisht mbahet nga çekët me 7 pikë, ndërsa kuqezinjtë numërojnë një më pak. Kjo sfidë do të vij ekskluzivisht dhe falas në ekranin kombëtar TV Klan.
Klan News