Destinacioni i radhës i trajnerit të kombëtares shqiptare, Silvinjo, bashkë me dy ndihmësit e tij, Doriva dhe Zabaleta, ishte Bergamo. Stafi teknik kuqezi ndaloi në stadiumin “Gewiss”, për të parë ndeshjen e Kupës së Italisë, Atalanta – Bologna.
Ata ndoqën nga afër paraqitjen e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, dhe pas përfundimit të takimit patën një takim me të. Temë e bisedës ishte ecuria e sezonit me klubin bergamas dhe pjesëmarrja e kuqezinjve në kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.
Nuk mungoi edhe urimi nga tekniku Silvinjo për mbrojtësin kuqezi për fitimin e çmimit “Lojtari i Vitit i Kombëtares” në mbrëmjen gala “Topi i Artë 2024”, të organizuar nga Federata e Futbollit.
Më 3 Shkurt, stafi kuqezi ishte në Milano, ku u zhvillua derbi i Madoninës, Milan-Inter, ku u takuan edhe me mefushorin kuqezi Kristjan Asllani.
Më 25 Janar, stafi kuqezi udhëtoi drejt Anglisë, ku ndoqi nga afër ndeshjen mes Bristol City dhe Blackburn dhe paraqitjen e sulmuesit Anis Mehmeti, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Bristol City, i cili ka spikatur me performancat e tij të mira gjatë këtij sezoni.
Më 22 Janar, stafi kuqezi ndoqi takimin e Ligës së Kampioneve, Sparta Praga – Inter, të zhvilluar në stadiumin “Epet Arena”, të Pragës.
Silvinjo së bashku me ndihmësit e tij, u takuan me lojtarët kuqezi, Asllanin, Laçin e Tucin.
Këto takime janë mjaft të rëndësishme me sfidat kualifikuese të Kupës së Botës 2026 që po afrojnë.
Shqipëria përballet me Anglinë më 21 Mars në stadiumin “Wembli”. Ndërsa tri ditë më pas, kuqezinjtë presin në “Arena Kombëtare” Andorrën.
Ndeshjet e Shqipërisë do të transmetohen ekskluzivisht në Televizionin Klan.
Klan News