Gjendja fizike e Jasir Asanit është ajo që tremb për momentin kombëtaren shqiptare të futbollit. Ekzaminimet mjekësore do të përcaktojnë gjendjen fizike të sulmuesit të krahut, i larguar nga fusha pas gjysmë ore lojë në barazimin ndaj Republikës Çeke.
Një element që mban në ankth trajnerin Sylvinho. Braziliani duhet të rimodelojë repartin, pasi në rolin e Asanit nuk ka një futbollist me karakteristika të ngjashme të tij.
Gjithsesi, duke parë edhe zëvendësimin ndaj çekëve, vendin e Asanit në të djathtë të sulmit mund ta marrë Taulant Seferi. Por nuk përjashtohet që të ketë edhe një ndryshim të skemës, nga 4-3-3 në 4-3-2-1, me Uzunin dhe Bajramin që mund të vendosen pas sulmuesit kryesor.
Maja e sulmit pritet të pësojë ndryshim nga ndeshja e së shtunës. Mirlind Daku rikthehet nga pezullimi dhe i gatshëm për të kontribuar ndaj Ukrainës. 26-vjeçari besohet se do ulë në stol Indrit Tucin, tepër i konsumuar fizikisht në përballjen me Republikën Çeke.
Ndërkaq, pjesa tjetër merr konfirmime, duke përjashtuar ndonjë befasi të fundit. Në këtë mënyrë, Strakosha do të jetë në portë, teksa reparti i mbrojtjes me Balliun, Ajetin, Ismajli dhe Mitaj.
Mesi i fushës do formohet sërish nga Asllani, Ramadani dhe Laçi, ndërsa në të majtë të sulmit, Nedim Bajrami shihet sërish i favorizuar kundrejt Arbër Hoxhës.
Sfida mes Shqipërisë dhe Ukrainës do të luhet këtë të martë në orën 20:45 dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Kombëtar Klan.
Klan News