Dinamo City ka larguar trajnerin Dritan Mehmeti, nga drejtimi i ekipit të parë. Klubi kryeqytetas, ka njoftuar këtë të martë, pezullimin e teknikut 44-vjeçar.
Gjithashtu, në komunikatën e klubit blu, bëhet e ditur se Mehmeti i është besuar drejtimi i Dinamos U-21. Ekipi i parë i Dinamo City, do të drejtohet nga Erjon Xhafa, deri në zgjedhjen e trajnerit të ri.
“FC Dinamo City njofton pezullimin e Dritan Mehmetit nga posti i trajnerit të ekipit të parë.
Klubi dinamovit bën me dije se teknikut Mehmeti i është dhënë drejtimi i skuadrës U-21.
Deri në momentin e zyrtarizimit të trajnerit të ri, 18 herë kampionët do të stërviten nga Erjon Xhafa, i cili momentalisht mban postin e drejtorit të akademisë blu.”, shkruan klubi.
Ky vendim, vjen pas startit të dobët në kampionat nga dinamovitët, që regjistruan dy humbje në dy ndeshjet e para, ndaj Egnatias dhe ndaj Bylisit. /tvklan.al