Derbi mes Dinamos dhe Tiranës shikohet si ndeshja më interesante e javës së 18 që do të luhet të shtunën.
Në tabelën e renditjes ka diferenca mes skuadrave me dinamovitët që janë më lart, por kjo nuk ndikon për trajnerin e Bluve, Ilir Daja.
“Dinamos i mungon një fitore në derbi, por ka bërë mirë në këto javë të kampionatit, do të thotë që duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Pavarësisht se kemi një vazhdueshmëri pak më të mirë se Tirana, nuk do të thotë se jemi favoritë në këtë ndeshje nëse nuk do ta marrim seriozisht ashtu siç duhet marrë një derbi”.
Sfida e fazës së kaluar u mbyll pa gola. Vllaznia që fitoi me përmbysje ndaj Elbasanit javën e kaluar do të tentojë të bëjë njëjtën gjë edhe me Laçin edhe pse ka munguesa.
“Kemi disa probleme dëmtimesh që duhet t’i zgjidhim, por asnjë justifikim për situatën. Do mundohemi të jemi një ekip kompetitiv në fushë dhe në fund të kemi një rezultat pozitiv. Vllaznia ka objektiva dhe në çdo ndeshje duhet të futet për tre pikë”, thotë trajneri i Vllaznisë.
Po të shtunën do të luhet edhe takimi Partizani – Elbasani, ndërsa të dielën është radha e sfidave Teuta – Egnatia dhe Skënderbeu – Bylis.
Tv Klan