Përshpejtimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë kryesojnë agjendën e diplomacisë shqiptare.

Ne një njoftim për shtyp të Ministrisë se Jashtme shqiptare thuhet se përfundimi i procesit zgjedhor  i vlerësuar nga personalitet më të larta evropiane dhe amerikane në deklarata publike si më i miri i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ka sjelle dhe intensifikimin e dinamikes diplomatike në lidhje me integrimin evropian të vendit.

Kështu ministri Basha ka patur një sërë bisedash telefonike  me homologë të tij. Ministri i Jashtëm i Suedisë, vendi i të cilit ka dhe presidencën e radhës se BE i konfirmoi ministrit Basha se presidenca suedeze mbështet shqyrtimin pa vonesa të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat si dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë.

Kjo bisede telefonike u be publike ne një konference për shtyp te shefit te diplomacisë suedeze me Ministrin e Jashtëm të Islandës në Stokholm. 

Shqyrtimi i shpejtë i kërkesës së Shqipërisë është kërkuar publikisht edhe nga Ministri i Jashtëm i Italisë dhe ish zv/president i Komisionit Evropian, Franko Fratini, në një deklaratë publike, bërë në Trieste. 

Edhe me këtë te fundit ministri Basha ka zhvilluar një bisede telefonike ku e ka njohur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar me vendosmëri në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm Italian rikonfirmoi vullnetin dhe angazhimin e palëkundur të Italisë për përmbushjen, në kohë të shpejtë të liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë si dhe të shqyrtimit të kërkesës, siç e vlerësoi ai, tashmë të avancuar të Shqipërisë për kandidim në Bashkimin Evropian.

Frattini ka vlerësuar progresin e madh të bërë nga Shqipëria dhe ka theksuar se Italia do të vazhdojë të jetë avokate e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa ka shprehur dhe përgëzimet për kryeministrin Berisha për fitoren e zgjedhjeve të 28 Qershorit.  

Përfundimi i procesit zgjedhor do te sjelle zhvillime te rëndësishme për Shqipërinë ne drejtim te integrimit evropian.

Shpallja e rezultatit përfundimtar te zgjedhjeve i ka hapur rruge shqyrtimit te kërkesës për anëtarësim  qe kryeministri i Suedisë, Reinfeld, ne një deklarim te tij e ka lidhur pikërisht me përfundimin e procesit zgjedhor./tvklan.al