Rreth 40% e popullsisë se rritur shqiptare janë duhanpirës dhe duhani është shkaktar i tumoreve thuajse tek gjysma e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje. Këto shifra janë bërë të ditura nga Ministria e Shëndetësisë, në ditën e botërore të luftës kundër duhanit.

Sipas një studimi të shoqatës amerikane të kancerit, në Shqipëri duhani shkakton 3800 vdekje të parakohshme. Dhe në përpjekje për të përmirësuar këto të dhëna, ministria e Shëndetësisë ka përfshirë për të parën herë në paketën bazë të mjekut të familjes edhe këshillat mbi pasojat që shkakton pirja e duhanit.

Anila Godo: “Industria e duhanit vazhdon përfitimin e vetë ekonomik dhe përpunon strategji të reja për të arritur këtë si për shembull paketimi shumë tërheqëse. Prandaj OBSH është duke promovuar vendosjen mbi paketa të paralajmërimeve dhe fjalë dhe imazhe tërheqëse dhe goditëse. Analiza historike e vendeve më të zhvilluara dhe studimet shkencore dëshmojnë se duhan pirja është një fenomen i lidhur shumë më mënyrën e jetesës dhe shumë i vështirë për tu çrrënjosur. Megjithatë ne jemi sot këtu dhe për të shprehur angazhimin e ministrisë së shëndetësisë se nuk do të resht përpjekjet dhe nuk do të dekurajohet për punën e saj për të minimizuar rreziqet shëndetësore nga duhani në Shqipëri.”

Në botë duhani shkakton rreth 5.4 milionë viktima çdo vit. Gjatë shekullit të shkuar numri i tyre arriti në 100 milionë dhe sipas organizatës botërore të shëndetësisë, këtë shekull kjo shifër mund të arrijë në 1 miliardë. Numri i vdekjeve nga duhani është më i lartë se ai që shkaktojnë HIV/AIDS dhe malaria të marra së bashku./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi