Rritja e numrit të përdoruesve të alkoolit në Shqipëri pas viteve 90 e ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë që të hartojë një strategji të veçantë e cila parashikon të zbusë këtë problem me pasoja sociale.

Të dhënat paraprake flasin për një numër tepër të madh të të alkoolizuarve në vend që arrijnë në masën 20%, 2.1 % e popullsisë është e dehur çdo ditë.

Fatbardh Spahia: “Kjo strategji parashikon informimin me të dhënat mbi konsumin e alkoolit dhe dëmeve rrjedhëse nga përdorimi i alkoolit. Kushtet trajtuese dhe legjislacioni, krimet dhe çrregullimet e lidhura me konsumin e alkoolit, gjithashtu informimin dhe komunikimin mbi luftën mbi alkoolin, efektet e alkoolit.”

Për specialistët e Institutit të Shëndetit Publik implementimi i kësaj strategjie parashikon marrjen e disa masave që synojnë të çojnë në veçanti uljen e numrit të të alkoolizuarve minoren në vend.

Roland Shuperka: “Pas viteve 90 ka filluar përdorimi i tepruar i alkoolit mbi normat e lejuara dhe ne po krahasojmë me shifra me Gjermaninë. 1.5% e popullsisë mbi moshën 15 vjeç janë alkool vartës. 20% e popullsisë përdor alkool mbi normat e lejuara dhe meqë është një problem global  po bëhet dhe për kontrabandën e pijeve alkoolike dhe për akcizat. Ne kërkojmë që të rriten dhe çmimet e pijeve alkoolike që të bëhen të pa mundura në përdorim edhe nga grupmosha të reja.”

Strategjia që synon ti japë zgjidhje këtij problemi shqetësues për shoqërinë u diskutua në komisionin e shëndetësisë. Ndonëse u vlerësua si hap pozitiv pati edhe rezerva për zbatimin e saj.

Tritan Shehu: “Në momentin që ju bëni strategjinë duhet detyrimisht të mendoni mënyrat e implementimit, sepse në qoftë se mungon implementimi atëherë na rroftë strategjia. Duhet të godasim fort në dy kolona të mëdha promocioni i mirë i strategjisë, sensibilizimi i opinioni publik, gjë që na mungoi te ligji i duhanit. Ligji i duhanit pati një funksionim të mirë muajt e parë në terren, pastaj doli jashtë kontrollit.”

Në bazë të studimeve të bëra nga ISHP-ja rreth 40% e meshkujve në moshë aktive janë alkool-pirës dhe 5% e femrave në vend parapëlqejnë të marrin alkool në mënyrë sistematike./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro