Menjëherë pas betimit në presidencë dhe mbledhjes së parë të kabinetit të ri qeveritar, ministrat janë paraqitur në vendet e reja të punës. Përjashtim bëjnë vetëm ministri i Financave Ridvan Bode, ai i Transporteve, Olldashi dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.
Këta të 3 janë të vetmit ministra që do të vazhdojnë të drejtojnë të njëjtat institucione dhe në këtë mandat të dytë qeverisës për të djathtët, që në 4 vitet në vijim do të duhet të bashkë-qeverisin për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar së bashku me më të majtët.
Zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, i cili rikthehet në këtë detyrë pas disa vjetësh, është prezantuar përpara diplomatëve shqiptar dhe punonjëseve të ministrisë së Jashtme nga paraardhësi i tij Lulzim Basha. Ky i fundit i emëruar nga kryeministri Berisha në krye të ministrisë së Brendshme.
Lulzim Basha: “Jam i sigurt që objektivat madhore që na presin përpara do ti shërbejnë mjaft mirë nga vazhdimi i përkushtimit dhe i punës së palodhur të stafit të ministrisë së Jashtme dhe shërbimit të jashtëm kudo nëpër ambasada, veçanërisht në lidershipin e përkushtuar tuajin. Duke pasur parasysh që vijnë edhe si udhëheqës i një force politike që integrimin e ka në emrin e saj, jo vetëm në programin e saj.”
Ilir Meta: “Dua të shpreh kënaqësinë e veçantë që për herë të parë në karrierën time zëvendësoj një titullar më të ri se unë. Kjo nuk do të thotë se unë kam kaluar shumë nga mosha, por do të thotë se politikës shqiptare po afirmohen gjithnjë e më shumë politikanë të rinj të spikatur dhe është kënaqësi që unë zëvendësoj zotin Basha, duke vlerësuar atë performancë të shkëlqyer që ai ka realizuar gjatë kësaj periudhe.”
Në ministrinë e Mbrojtjes, e cila do të vazhdoj të drejtohet nga të djathtët, ministri në ikje Gazmend Oketa ka organizuar një ceremoni ushtarake për ti dorëzuar detyrën titullarit të ri Arben Imami.
Në ministrinë e shëndetësisë e cila do të vazhdoj të drejtohet nga aleatët e demokratëve, ministrja Anila Godo, përfaqësuese e Partisë Republikane pas një pune të vlerësuar nga kryeministri Berisha edhe pse drejtoi sektorin e shëndetësisë për një kohë të shkurtër, ia ka dorëzuar zyrën e saj, Petrit Vasili, përfaqësues ky i aleatëve më të rinj të demokratëve LSI.
Vasili rikthehet në ministrinë e Shëndetësisë jo më në postin e zëvendës ministrit si 4 vjet më parë, por si titullar i kësaj ministrie. Sektor që sipas kryeministrit Berisha do të jetë një nga prioritet kryesore të mandatit të ri qeverisës. Brenda kësaj jave të gjithë ministrat pritet të paraqiten në detyrën e tyre të re./tvklan.al
Gazetare: Elia Zotka