Kur shënohet dita e tretë e grevës së urisë nuk ka ende asnjë sinjal për kompromis politik që do të nxirrte 10 deputetet nga salla e seancave plenare. Këta të fundit duken të vendosur t’i shkojnë deri në fund këtij aksioni politike që sikurse është thëne synon të mbrojë votën.
Deputetet në grevë janë vizituar të mërkurën edhe nga deputetët Jak Ndokaj dhe Dritan Prifti. Madje ky i fundit tha, se me leje të posaçme të kryetares së kuvendit mund të lëvizte lirisht duke mbajtur të informuar median mbi atë çfarë ndodh në ambientet e grevës.
Ne ketë pikë duket se deputetët kanë shfaqur dhe problemet e para shëndetësore. Rreth orës 11:00 tre mjeke dolën nga ambientet e kuvendit pasi monitoruan parametrat shëndetësore të deputetëve grevistë.
Dritan Prifti: “Kanë filluar problemet shëndetësore. Disa deputet nuk kanë pasur mundësi për shkak të problemeve shëndetësore të flenë fare gjatë natës, absolutisht të gjithë janë të bindur që bëjnë një sakrificë për vendin e tyre, bëjnë një sakrificë për qytetarët e këtij vendi që njëherë e përgjithmonë të largohet nga imazhi i keq i Shqipërisë vjedhja e votës. Unë do t’i kërkoj zonjës Topalli, t’i lejojë deputetët të vijnë të takojnë njëri-tjetrin, të lejojë dhe median të futet aty brenda”.
Të mërkurën panorama rreth selisë së kuvendit ku zhvillohet greva ishte thuajse e njëjte. Protestues dhe mbështetës të LSI, PDK dhe PS-91 hidhnin parulla me lajtmotiv garantimin e zgjedhjeve të lira, por në ndryshim nga dy ditë më parë, të mërkurën kishte një numër më të reduktuar forcash politike dhe punonjës të gardës së republikës./tvklan.al