Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rreth 760 mijë nxënës kanë filluar sot në të gjithë vendin vitin e ri shkollor. Meqë tradita e rreshtimit përpara shkollës për të pritur rënien e ziles, për t’u futur nëpër klasa ka humbur tashmë, mësuesve u është dashur të dinin në oborr për të bërë apelin. 15 Shtatori ka shënuar ditën e parë të shkollës edhe 62 mijë fëmijë që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Dyert për nxënësit i kanë hapur dhe shkollat jo publike, të cilat vitet e fundit kanë filluar të kenë një numër të madh nxënësish që studiojnë në to.

Prindi 1:- “Unë e kam pasur fëmijën dhe në shkollë publike dhe në shkollë private, por interesi në këtë shkollë ishte shumë i lartë, e dyta këtu të gjitha lëndët kryen në anglisht, përveç gjuhës shqipe dhe ndonjë lëndë tjetër që ka të bëjë me gjuhën shqipe, e treta nuk kam shumë mundësi për ta ndjekur, kurse kjo shkollë i ndjek nga të gjitha anët, në aktivitete, nga ana mësimore, nga të gjitha”.

Por jo të gjithë, me gjithë kushtet e mira që ofrojnë këto shkolla, i kanë mundësitë për të vazhduar shkollën me pagesë.

Gazetarja:- Pse keni zgjedhur një shkollë publike dhe jo një shkollë private për të sjellë fëmijën tuaj?

Prindi 2:- “Po sepse unë këtu kam djalin dhe jam shumë e kënaqur, këtu kam sjellë dhe vajzën”.

Gazetarja:- Pagesa është një arsye?

Prindi 2:- “Po dhe pagesa është një arsye, arsyeja kryesore”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka