Ky 12-vjeçar ndoshta di të tregtojë më mirë se kushdo tjetër rrugëve të kryeqytetit, pasi këtë punë e bën  prej dy vjetësh.

Brunilda Cami: Sa kohë ka që shisni çimçakiz në rrugë?

“2 vjet”.

Brunilda Cami: Dilni çdo ditë e shisni?

“Jena në shkollë, mbas shkolle dalim e shesim”.

Brunilda Cami: Sa shet në dit?

“1 pako”.

Brunilda Cami: Dhe sa para fiton me këtë?

“Fitoj 15 mijë lekë”.

Por ai nuk është i vetmi minoren i angazhuar në punë. Në Shqipëri numërohen 40 mijë fëmijë të cilët bëjnë punë nga më të ndryshmet, në industri, në rrugë duke larë makinat apo duke shitur. Kjo shifër u bë e ditur gjatë një takimi me rastin e ditës botërore të luftës kundër punës së fëmijëve.

Xhafer Dobrusha: “Janë rreth 40 mijë fëmijë që braktisin shkollën me ndërprerje të caktuar, një ditë, disa orë e tjera. Dhe është ky kontingjent që punon në rrugë punë të ndryshme ose me kompani të tjera në fakt dhe rreth 6 mijë deri në 7 mijë luhatet gjithmonë numri i atyre që braktisin shkollën”.

Dhe për uljen e këtyre shifrave, kthimi në shkolla i fëmijëve që e kanë braktisur atë për shkak se punojnë është pjesa kryesore e strategjisë së Ministrisë së Punës. Këtë vit, ne mbare boten kjo ditë i është kushtuar mbrojtjes së vajza dhe mbështetjes së tyre për t’u arsimuar.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Punës, 165 milion fëmijë apo 1 në 7 fëmijë në nivel botëror të moshës 5-14 vjeç punojnë./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami