Prindërit kanë humbur besimin se mund të marrin paratë që u takojnë nga subvencionimi i teksteve shkollore që blejnë për fëmijët e tyre.

Kjo nisur nga eksperienca e një viti më parë ku shumë prej tyre nuk mundën të merrnin asnjë lek.

Në këtë mënyrë ata nuk kërkojnë fatura kur blejnë librat dhe në të njëjtën kohë nuk kanë interes kur iu jepen nga librashitësit.

Gazetarja: Për faturat e shitjes ka patur interesim nga prindërit?

Megi Llubani: “Pak a shumë. Pjesa më e madhe janë zhgënjyer sepse vjet nuk janë kompensuar, megjithatë neve plotësojmë faturat. Meqenëse nuk janë plotësuar, unë jap vetëm faturën e librarisë time dhe kur të jenë plotësuar të gjithë librat do jepet fatura tatimore.”

Krahas kësaj edhe pse ka disa javë që librat kanë dalë në shitje numri i të interesuarve është i pakët. Një pjesë e librarive i gjen pothuajse bosh dhe me pak libra të shitur.

Gazetarja: Pse keni ardhur t’i merrni librat që tani?

“Mos të presim në radhë të gjata që si vitin e kaluar që mezi rrinim në këmbë në radhë”.

Gazetarja: I keni blerë librat apo tani?

“Jo, akoma.”

Gazetarja: Kanë dalë të gjitha?

“Jo të gjitha, këto jo. Ashtu thanë që nuk janë të gjitha,. Do marr aq sa janë. Klasën e katërt, klasën e dytë”.

Ndërsa ka mbetur më pak se një muaj nga çelja e vitit shkollor libraritë ende nuk janë pajisur me të gjitha librat, kryesisht vihet re mungesa e anglishtes dhe frëngjishtes për të gjitha klasat./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami