Vetëm tre muaj dhe zona e Xhamllikut do të ketë një shesh bashkëkohor që do të shërbejë si një vend pushimi për të gjithë qytetarët e kësaj zone.

Punimet e sheshit që mban emrin “Shtraus” janë inspektuar nga kryebashkiaku Edi Rama, i cili u shpreh se ky do të jetë një ambient çlodhës që do të ofrojë hapësirë pushimi dhe do të jetë krejtësisht pedonal.

Edi Rama: “Xhamlliku i famshëm i kryeqytetit të djeshëm të bëhet shesh për qytetarët, për fëmijët, për të moshuarit, një shesh model, një hapësirë këmbësorësh ku do të jetë e mundur njëkohësisht të kemi një qendër tjetër në mes të një lagjeje të madhe. Përfaqëson sot Tiranën e re, Tiranën e transformimeve demografike”.

Sheshi “Shtraus” që do t’i shtohet shesheve të kryeqytetit do të bëhet me beton të derdhur me stampim dekorativ.

Pjesa qendrore e tij është parashikuar të ketë ngjyrë të bardhë, ndërsa pjesa tjetër do të ketë ngjyrë të kuqërremtë me teksturën e vendosjes së tullave, ndërsa periferitë do të konturohen me kufizues trafiku. Gjithashtu sheshi “Shtraus” do të jetë i ndriçuar më së miri./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami