Nisin negociatat e republikanëve për marrjen e një posti ministror në qeverinë Berisha.

Gjatë pasdites së të premtes kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i shoqëruar dhe nga disa drejtues të tjerë të kësaj partie zhvilluan një takim në kryeministri me kreun e qeverisë dhe të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Pas takimit Mediu u prononcua për mediat se republikanët do të kenë një nga sektorët prioritarë të qeverisë.

Fatmir Mediu: “Në ditët në vazhdim natyrisht do të përpiqemi të detajojmë dikasterin përkatës, ministrinë që Partia Republikane do të jetë pjesë e këtij kabineti. Partia Republikane ka autoritete qoftë politike, qoftë intelektuale të cilat besoj do ta përfaqësojnë atë denjësisht në një qeverisje dhe në realizimin e të gjitha qëllimeve që kemi përcaktuar së bashku në fillimin e kësaj qeverisje dhe problematikën e mbetur të qeverisjes tonë.”

Ndërkaq kreu i republikanëve bëri të ditur se ende nuk është vendosur se cili nga figurat e Partisë Republikane do të drejtojë ministrinë që do t’u caktohet.

Fatmir Mediu: “Absolutisht që unë nuk do të jem pjesë e qeverisë. Ne jemi në një proces që filloi sot. Besoj do të ketë një diskutim intensiv dhe brenda këtij sesioni parlamentar do të mbyllet i gjithë procesi.”

Ky është takimi i parë që zhvillohet mes kryeministrit Berisha dhe republikanëve për të diskutuar mbi portofolin ministror që do të marrin këta të fundit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami