Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Një pjesë e gazetarëve apo botuesve ndoshta e kanë harruar se 3 Maji është dita e lirisë së tyre, për të rrëfyer të vërtetat dhe për të denoncuar realitetin. E drejta për shtyp të lirë është një e drejtë kushtetuese në shumë vende.
Në një demokraci asnjë gazetar nuk duhet të burgoset sepse shkruan artikuj, nuk ka rëndësi se sa të pasakta apo të papëlqyeshme mund të jenë ato. Por e kundërta ka ndodhur, gazetarët janë bërë pre e kërcënimeve, dhunës verbale, madje janë vrarë për hir të detyrës. Organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e gazetarëve në të cilat aderojnë edhe simotrat shqiptare kanë ngritur zërin edhe ndaj presioneve dhe kërcënimeve që kanë pasur gazetarët shqiptarë në vitet e fundit.
Në raportet denoncuese të këtyre organizatave, autoritetet shqiptare janë akuzuar se përdorin të gjitha mjetet për të influencuar për hir të interesit të tyre në media. Jo vetëm kaq, ndërkombëtarët janë të shqetësuar për financimet e paligjshme në media dhe përdorimin e tyre nga qarqe biznesi për të influencuar në vendimmarrjen e autoriteteve.
Konflikti i interesave është shfaqur kohët e fundit edhe në Shqipëri, ku njerëz me pushtet në Shqipëri kanë shtënë në duar mediat. Në lidhje me këtë problematikë, avokati Spartak Ngjela shprehet:
Spartak Ngjela: “Natyrisht, liria e shtypit ka progres në Shqipëri, Big-Bangu që shpërtheu Dhjetor 90 – Janar 91, natyrisht e ka hapur kraterin e vetë, ka cenime, por gjithsesi themi se kemi shtyp të lirë. Cenimi aktualisht është blerja është tendenca e politikës për ta pasur të vetin nëpërmjet kapitalit, pronarëve. Megjithatë kam përshtypjen se edhe kjo do të sheshohet shumë shpejt”.
Raporti i shoqatës ndërkombëtare të shtypit denoncon edhe rastin më të fundit të kontrolleve financiare redaksinë e të përditshmes “Koha Jonë”, për shkak të kritikave të saj ndaj qeverisë aktuale./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame